Prezantohet projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë

Prezantohet projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë

Aktuale August 07, 2020 - 16:38

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar projektligjin për “Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”.

Sipas saj, më në fund erdhi koha e prezantimit të këtij projektligji, pasi sipas saj për arsye politike është “zvarritur” që nga muaji marsi. “Ka pasur vonesa e zvarritje edhe përkundër faktit se ka qenë kërkesë e qartë e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj edhe që nga 15 prilli kur edhe zyrtarisht është vendosur që të procedojmë me këtë nismë. Ligji deri tash ishte peng i politikave e po shpresojmë që tash e tutje të dëshmojmë të kundërtën, duke vendosur shëndetin para politikave”, theksoi Osmani në fjalën e saj në seancën e Kuvendit.

Ligji parasheh që të mbrojë shëndetit publik në vend, të ofrojë mundësi për organet ligj zbatuese të kryejnë punën e tyre pa e shkelur Kushtetutën dhe që të jetë përgjigje ndaj obligimeve që rrjedhin nga Gjykata Kushtetuese.

“Siç e dini, Gjykata në mënyrë eksplicite ka thënë se është detyrë e Kuvendit që qoftë nëpërmjet plotësi-ndryshimit të legjislacionit, qoftë përmes miratimit të një ligji të ri të përcaktojë mekanizmat ligjorë dhe autorizimet më të përshtatshme në mënyrë që autoritet përkatëse të ndërmarrin masat dhe veprimet e nevojshme për luftimin e COVID-19”, tha Osmani.

Ky ligj u iniciua nga Osmani, Arbrie Nagavci, Hajrullah Çeku, Ardian Shala, Haxhi Avdyli dhe Saranda Bogujevci. /Zëri