Ministrja serbe: Nuk do të heqim dorë nga ndjekja e ish-ushtarëve të UÇK-së

Ministrja serbe: Nuk do të heqim dorë nga ndjekja e ish-ushtarëve të UÇK-së

Aktuale August 11, 2020 - 13:57

Ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviç, tha se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga ndjekja e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për, siç tha ajo, krimet e supozuara ndaj popullatës serbe.

Duke folur për kërkesat që Serbia të tërheqë fletarrestimet për ish-ushtarët e UÇK-së, në një intervistë për media Kuburoviqi tha se diçka e tillë nuk mund të ndodhë, pasi ato janë bazuar në dëshmi.

“Procedimi para gjykatave serbe është iniciuar duke u bazuar në prova materiale, kështu që nuk ka asnjë shpjegim ligjor dhe arsye për të hequr urdhërarrestin për kriminelët”, tha ajo.

Ministrja serbe e Drejtësisë beson se shteti i saj ka ofruar prova të “pamohueshme” në Tribunalin e Hagës dhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër, siç shprehet ajo, “kriminelëve të luftës”.

Pasi institucioneve të Republikës së Kosovë iu referua si “të përkohshme”, ajo foli edhe për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, të cilën e quajti përpjekje të dëshpëruar për të shmangur të vërtetën për UÇK-në, e cila nga ministrja serbe u cilësua “organizatë terroriste”.

Javë më parë Organizata e Veteranëve e UÇK-së njoftoi se një ish-ushtar i saj u ndalua, e më pas lirua, gjatë qëndrimit në Shqipëri me fletarrestim nga INTERPOL-i, duke u bazuar në listën e dorëzuar nga Serbia.

Ndërsa javën e kaluar ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, njoftoi për ndalimin e më pas lirimin e një veterani të UÇK-së në Turqi, me fletarrestim të iniciuar nga Serbia.