Projektligji për vlerat e UÇK-së mbrojtje apo frikësim?

Projektligji për vlerat e UÇK-së mbrojtje apo frikësim?

Aktuale August 13, 2020 - 08:05

Kuvendi i Kosovës pritet të enjten të votojë në parim projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky projektligj, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ka nxitur reagime të shumta për shkak se po vlerësohet se mund të cenojë lirinë e shprehjes, si dhe krijon mundësi për të frikësuar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore, ku përfshihen ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Projektligji ka disa nene, të cilat po i kontestohen.

I pari është Neni 3 që definon atë se çka është vlerë e luftës, pastaj Neni 5, që flet për respektimin e vlerave të luftës, si dhe Neni 9, që flet për dispozitat ndëshkuese.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se kjo iniciativë ligjore ka më shumë qëllime politike sesa të mbrojë vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse lexohet ky ligj me kujdes shihet se është i hartuar jashtëzakonisht dobët. Ky ligj në njërën anë synon t’i mbrojë vlerat e UÇK-së e në anën tjetër ky ligj nuk ka dispozita ndëshkuese, do të thotë nuk dihet cilat janë masat qoftë në aspektin civil, qoftë në aspektin penal. Ky ligj do të jetë i pazbatueshëm”, thotë Miftaraj.

Neni 5 i këtij projektligji që flet për respektimin e vlerave të luftës thotë se: “Çdo zyrtarë publikë dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Ky nen, sipas Ehat Miftarajt, mund të keqpërdoret në të ardhmen për të heshtur çdo kritikë, si dhe për të frikësuar ata që mund të ketë mendim të kundërt.

“Mbrojtja më e mirë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ishte nëse do të zbuloheshin rreth 40 mijë veteranë të rrejshëm, e të cilët nesër mund të përdorin mu këtë nen, nenin 5, ndaj çdo zyrtari publik apo qytetari të Kosovës, vetëm pse ata mendojnë se përmes një shkrimi në Facebook apo një kritike, i kanë cenuar vlerat e tyre”, thotë Miftaraj në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.