Limaj ngushëllon për Mazrekun, e veçon si luftëtar të ditëve të para të luftës

Limaj ngushëllon për Mazrekun, e veçon si luftëtar të ditëve të para të luftës

Aktuale August 13, 2020 - 10:16

Sot në orët e mëngjesit Komuna e Malishevës ka njoftuar se ka vdekur veterani i UÇK-së, Hajrullah Mazreku, ndërsa lajmin për vdekjen e tij e ka pritur me pikëllim kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ai ka thënë për Mazrekun se ishte mik dhe bashkëluftëtar, me të cilin edhe janë rritur bashkë.

“Hajrullahu na la shumë herët, kur më së shumti u duhej familjes, miqve, Komunës dhe vendit. Vdekja e tij ka lënë boshllëk të madh te ne. Do të të kujtoj përherë miku im si një njeri me vlera të larta njerëzore, fjalëpakë e punëtor i madh, i urtë e i dashur për të gjithë, njeri me energji pozitive”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Limaj tha se Hajrullah Mazerku ka qenë luftëtar i ditëve të para të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Hajrullah Mazreku ka qenë edhe luftëtar i ditëve të para të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nga viti 2014 e deri në 2020 ishte fillimisht drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e më pas drejtor i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Komunën e Malishevës”, tha Limaj. /Zëri