Arrestohet ish-ministri Numan Baliq, ngacmoi seksualisht pacienten në Spitalin e Pejës

Arrestohet ish-ministri Numan Baliq, ngacmoi seksualisht pacienten në Spitalin e Pejës

Aktuale August 13, 2020 - 13:10

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, është përfshirë përsëri në një skandal seksual. Kësaj radhe, derisa ishte në vendin e tij të punës në Spitalin e Pejës, ai po dyshohet se ka ngacmuar një 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në spital me vajzën e saj.

Një nënë 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Pejës, është ankuar se është sulmuar seksualisht nga mjeku i këtij spitali, Numan Baliq.

“Ka hyrë në Repart, gruaja e ka pasur vajzën qe 16 ditë. Mjeku i ka thënë duhet të vish në zyrë për një aparat, pastaj ka filluar ta ngacmojë me fjalë dhe ka filluar ta prekë në trup. Ajo e ka thirrur sigurimin dhe policinë”, kanë thënë këto burime.

Këtë rast për gazetën “Express” e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Pejës.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Sulm seksual’ në Spitalin Regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit, është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia në raportin 24-orësh.

“Sulm seksual - Rr. ‘Nëna Terezë’, Pejë, 12.08.2020 - 22:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar Baliqi ishte suspenduar nga puna, për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuzë për ngacmim seksual.