Zëdhënësi i PDK-së akuzon LDK-në dhe LVV-në për mosvotimin e projektligjit për UÇK-në

Zëdhënësi i PDK-së akuzon LDK-në dhe LVV-në për mosvotimin e projektligjit për UÇK-në

Aktuale August 14, 2020 - 11:42

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka deklaruar se dje me mosvotimin e projektligjit për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së LDK-ja dhe LVV-ja inkurajuan Vuçiqin para ballafaqimit final me Serbinë.

Madje ai ka kritikuar këto dy parti, ku LDK-ja thotë se ka mbetur peng në arkaizmin e mllefit dhe viktimizimit para UÇK-së, teksa për LVV-në thotë se është solide në qëndrimin e vet të manipulimit përfitues politik. /Zëri

Postimi i plotë i tij:

Dje në Kuvend me “dezertimin” në votim për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të uçk-së nuk mbeti keq luftëtari i UÇK-së, as UÇK-ja. LDK-ja dhe LVV-ja ia dhanë një fitore të shkëlqyer Vuçiqit dhe Serbisë!

Jo vetëm kaq. Ishte inkurajim për Serbinë dhe Vuçiqin, për gjendjen ku ndodhet sot Kosova, mu para ballafaqimit final me Serbinë!

LDK-ja po tregon se është parti drejt shuarjes, pa koncept, pa guxim, pa ide për të ardhmen. E mbetur peng në arkaizmin e mllefit dhe viktimizimit para UÇK-së, edhe mbi dy dekada pas luftës. Ajo po mendon se mund të përfitojë pafundësisht nga kjo dhe ta mbajë peng të saj qytetarin e ri, duke u viktimizuar, gjithmonë duke akuzuar, por edhe duke synuar të përfitojë pikërisht meritokraci nga frytet e luftës çlirimtare për liri.

Ndërsa LVV-ja, solide në qëndrimin e vet konstant të manipulimit përfitues politik, noton në këtë amulli dhe degradim, duke treguar se jo vetëm nuk qëndron për asgjë, por kur bëhet fjalë për Serbinë Albin Kurti “çuditërisht” humbi shkëlqimin “radikal”, pikërisht për këtë temë. Kështu bëri edhe sa ishte në qeveri. Dje këtë e përsëriti ai me partinë e tij në Kuvend.

Ai vetëm sa po dëshmon sa i dobët, peng dhe frikacak është para Serbisë. Ujk me shqiptarët, ndërsa dele me Serbinë!

Nga sjellja e djeshme politike i vetmi që nuk duhet të shqetësohet është luftëtari i vërtetë i UÇK-së, që ka kryer një mision të madh historik. Por duhet të shqetësohen të tjerët, edhe numrat e fryrë të “veteranëve”.

Me sjellje të tilla a po e inkurajon dikush të keqën historike të ripërsëritet?