Rrezikohet dyfish jeta e banorëve të Karaçevës, deputetët e pranojnë krimin tjetër ndaj tyre

Rrezikohet dyfish jeta e banorëve të Karaçevës, deputetët e pranojnë krimin tjetër ndaj tyre

Aktuale August 14, 2020 - 13:11

Në Karaçevë banorët nuk janë të rrezikuar vetëm nga xhandarmëria serbe.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë denoncuar se banorët po rrezikohen edhe nga krimi i organizuar, hapja e kazinove në këtë fshat.

Ata personalisht në seancë pranuan se kazinotë po lulëzojnë në Karaçevë, kurse pjesëtarët e Policisë së Kosovës jo vetëm që nuk janë prezentë aty për të ofruar siguri për banorët nga xhandarmëria serbe, por sipas tyre nuk po i mbrojnë as nga krimi, raporton “Zeri.info”.

Kundërakuzat për kazinotë kanë përplasur ndërmjet tyre deputetët e LDK-së, të LVV-së, të AAK-së, si dhe ata të PDK-së.

Deputeti i LVV-së Rexhep Selimi ka drejtuar në seancë pyetje për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri, ku kërkon përgjigje në pyetjen: “A është Karaçeva Kosovë?”.

Selimi, përveç hyrjes së xhandarmërisë në këtë fshat, ka ngritur shqetësim edhe për hapjen e kazinove e lulëzimin e krimit në këtë pjesë.

“Nëse është Kosovë, a ka policë të Kosovës në Karaçevë? E nëse ka policë të Kosovës në Karaçevë, pse s’po i mbyllin kazinotë që punojnë paligjshëm (në Karaçevë)? Pse nuk po e ndalin kontrabandën, korrupsionin?”, ka theksuar Selimi.

Nga Grupi Parlamentar i LDK-së Arben Gashi është përgjigjur se Karaçeva është Kosovë, duke u thirrur në deklaratën e KFOR-it se ka qenë patrullim i përbashkët.

“Karaçeva është pjesë e Kosovës, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Për ato krime që ju po thoni për në Karaçevë z. Rexhep Selimi pajtohem plotësisht. Kanë qenë edhe më herët”, ka thënë ai, duke iu referuar kazinove.

Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Tahiri e ka quajtur gabim që bashkërisht ka patrulluar KFOR-i, si dhe xhandarët serbë në këtë zonë.

Tahiri ka konfirmuar se për këtë zonë kufitare ka pasur kontest të caktuar. “Jemi sfiduar mandat për mandate me qeveritë tjera lidhur me këtë (kufirin)”, tha ai.

Tahiri u është kundërpërgjigjur akuzave për kazinotë në fshatin Karaçevë, duke bërë të ditur se ka qenë qeveria “Haradinaj” ajo që ka mbyllur kazinotë në këtë fshat.

Ndërsa nga PDK-ja ka reaguar deputeti Memli Krasniqi, duke “minuar” krenarinë e AAK-së se ka qenë qeveria e udhëhequr nga ajo që ka mbyllur kazinotë. Deputeti Krasniqi tha se kazinotë nuk i ka mbyllur Qeveria, por Kuvendi.

Mirëpo, kanë qenë deputetet e LVV-së prapë ata që kanë denoncuar se kazinotë janë ende të hapura në këtë fshat. Deputeti i LVV-së Mefail Bajçinovci ka deklaruar jo vetëm frikën e banorëve nga xhandarmëria, por edhe nga prezenca e kazinove në këtë fsha.

“Të fortit e Prishtinës kanë hapur kazinotë atje”, ka akuzuar Bajçinovci përfaqësuesit e lartë në vend. /Zëri