Deliu-Kodra: Ushtarët e UÇK-së nuk guxojnë të trajtohen si kriminelë

Deliu-Kodra: Ushtarët e UÇK-së nuk guxojnë të trajtohen si kriminelë

Aktuale September 26, 2020 - 10:35

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra është deklaruar në lidhje me aksionin e djeshëm të EULEX-it në Selinë Qendrore të OVL të UÇK-së, aksion në të cilin arrestuan kreun e organizatës Hysni Gucati.

Deliu-Kodra përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se ushtaret e UÇK-së nuk guxojnë të trajtohen si kriminelë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë dhe të shenjtë për të realizu të drejtën jetike – lirinë. Ushtarët e saj janë luftëtarë të lirisë dhe nuk guxojnë të trajtohen sikur kriminelët vrasës të kësaj lirie, të cilët vetëm zvarrë mund t’i vendosje përballë drejtësisë”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Ajo i ka quajtur të papranueshme veprimet e fundit të EULEX-it, veprime për të cilat thotë se krijojnë përshtypjen e një operacioni në një vend armiqësor, shkruan “Zeri.info”.

“Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare dhe ka shërbyer si shembull. Prandaj, edhe EULEX-i si zbatues i urdhrave të Gjykatës Speciale është i familjarizuar tashmë me këtë fakt. Veprimet e fundit me rastin e arrestimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilat krijojnë përshtypjen e një operacioni në një vend armiqësor janë të papranueshme dhe deformuese të realitetit faktik”, u shpreh më tutje Deliu-Kodra.

Në postimin e saj në “Facebook” deputetja po ashtu thotë se ish-ushtarët e UÇK-së kanë dëshmuar me qetësinë më të madhe u janë përgjigjur ftesave nga cilido organ i drejtësisë ndërkombëtare, ndaj sipas saj është i papranueshëm trajtimi poshtërues e krahasues me kriminelët e fshehur skutave e të maskuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Në fund deputetja thotë se një ftesë do mjaftonte për të evituar skenat e poshtërimit që sipas saj ndodhen ditën e djeshme në dhe para Organizatës së Veteraneve të Luftës së UÇK-së

“Veteranët qenë në zyrat e veta dhe ka mjaftuar një ftesë për të evituar gjithë këto skena poshtërimi, të cilat natyrshëm mund të nxisin tensione të panevojshme.Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa zbatuesit e kësaj drejtësie duhet të dëshmojnë sjellje profesionale ndaj të gjithë të akuzuarëve. Kosova nuk ka çfarë të fsheh nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare, por ka shumë çfarë të mbrojë, e mbi të gjitha – dinjitetin e luftëtarit të lirisë”, ka shkruar ajo./Zëri