Salih Mustafa të hënën paraqitet para Speciales

Salih Mustafa të hënën paraqitet para Speciales

Aktuale September 26, 2020 - 11:25

Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka njoftuar se të hënën në orën 15:00, në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës, të arrestuarit të parë nga Specialja.

Përmes një komunikate për media Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka thënë se

aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

“Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim. Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjithashtu, DHSK-ja ka një qendër të posaçme për median nga e cila gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër”, thuhet në njoftim.

Aktakuza kundër Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë. /Zëri