Haxhiu për deklaratat e Mustafës: LDK përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetar

Haxhiu për deklaratat e Mustafës: LDK përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetar

Aktuale September 26, 2020 - 21:04

Deklaratat e Isa Mustafës se partia që udhëheqë ai po shikon një bashkëpunim të mundshëm me PDK-në dhe se ka hequr vijat e kuqe me të, sipas Albulena Haxhiut nga LVV është vetëm titulli i një vepre që kishte nisur më herët. Sipas saj, me këto veprime po tentohet të iket nga zgjedhjet e reja.

“Nëse qytetarët kanë vendosur saktësisht ndryshe nga ajo çka paska vendosur LDK, atëherë kjo e fundit përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetarë. Sigurisht, vijat e kuqe gjithnjë janë hequr në emër të "interesave madhore". Këto janë orvatjet për t'i ikur zgjedhjeve në mënyrë që kjo nomenklaturë të mbijetojë edhe ndonjë ditë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Haxhiu thotë se vullneti i shprehur më 6 tetor të vitit të kaluar, ishte vijë e qartë e kuqe me politikën e vjetër.

“Nga poli i PDK-së, LDK tha se po afrohej me VV-në. Dhe kështu mori votat e qytetarëve. Kjo vijë e kuqe e LDK-së u hoq në muajin mars kur rrëzuan qeverinë Kurti dhe tradhtuan votën qytetare”, përfundon ish-ministrja e Drejtësisë. /Zëri