Fshati i Shtabit të UÇK-së, sot pothuajse i harruar
Foto: Likofci / FB

Fshati i Shtabit të UÇK-së, sot pothuajse i harruar

Aktuale September 28, 2020 - 10:29

Ndërtesa ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në luftën e vitit 1998-1999 ndodhet në Likoc, në zemër të Drenicës. Ka 12 vjet që Fehmi Kadriu nga ky fshat, vullnetarisht e pa pagesë, kujdesët për objektin nga i cili gjatë luftës u dhanë urdhra për batalione e brigada të UÇK-së në tërë vendin.

“Ky ka një vlerë goxha të madhe. Pas Prekazit legjendar vjen Likoci historik, sepse këtu kanë qenë njerëzit e QUINT-it evropian, prej Christopher Hillit, Holbrukes, Petrichit e të gjithë ata që na kanë përkrahur e ndihmuar të çlirohemi nga Serbia”, tha veterani Fehmi Kadriu.

Veterani i luftës kujdesin për vendin, në të cilin dikur qëndruan diplomatët botërorë e drejtues të luftës, e ndien si obligim, edhe pse interesimi për investim nga këta të fundit, thotë se është i vogël.

“Bota ta ka njohur si Shtab të UÇK-së, e njerëzit e luftës e kanë harruar, kurse nga këtu i kanë marrë të gjitha, janë frymëzuar, janë krenuar prej Shtabit të Përgjithshëm, por e kanë lënë si anash njerëzit e luftës e politikës. Shumë jemi të zhgënjyer me ta”, shtoi ai, raporton “EuronewsAlbania”.

Brenda shtabit, përveç disa fotografive të varura të heronjve e dëshmorëve, të sjella vullnetarisht nga familjarët, nuk ka asgjë nga koha e lavdishme e UÇK-së. Madje as për bunkerin e ndërtuar pranë ndërtesës, nuk ka ndonjë pllakë që do të tregonte arsyen e të qenit aty.

E kjo neglizhencë bën që të rinjtë, si Jeton Ferizi, i lindur në vitin 2002, tre vjet pas çlirimit, ta kenë të vështirë ta imagjinojnë se si fshati i tij, dikur ishte epiqendra e zhvillimeve politike e ushtarake në vend.

Nga videot e para 20 viteve që ka parë në internet, kur në kohë lufte fshati i tij ishte i stërmbushur me të zhvendosur, Jetoni beson se ka ndryshime.

“Tani ka ecur më përpara. Ka ndryshuar, janë ndërtuar markete, shkolla e re aty poshtë, spitali familjar e disa të tjera”, tha Jeton Musliu.

Sidoqoftë, ata që e kanë përjetuar luftën dhe mbajnë mend mirë se si ishte Likoci i viteve 1998-1999, dikur qendra e UÇK-së, thonë se koha për këtë fshat sikur ka ndaluar.

“Vetëm ky asfalt që ka ardhur. Këtë shtab e mirëmban një person që nuk paguhet, as me pagë mujore, por vetëm nga dëshira, sepse ka qenë pjesëtar i UÇK-së. As s’ka ndryshuar asgjë, as s’ka arritur asgjë dhe askush as nuk e ka kthyer kush shpinën më për këtë shtab ose këtë qendër. Gërmadhat e rrëzuara, të rrënuara e të djegura kanë mbetur”, tha Haki Kadriu, banor i Likocit.

Kështu, Likoci mbetet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte 20 vjet më parë. E në bisedat e banorëve të Drenicës sa herë që duan të rrëfejnë diçka të rëndësishme për këtë zonë bisedën natyrshëm e fillojnë me: “... a e di se këtu dikur...”.