Rikthehen shërbimet shëndetësore në ambulancat specialistike të QKUK-së

Rikthehen shërbimet shëndetësore në ambulancat specialistike të QKUK-së

Aktuale September 28, 2020 - 10:37

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për medie ka prezantuar rekomandimet për heqjen e masave dhe të disa kufizimeve të vëna për ta luftuar koronavirusin.

Ministri njoftoi se do të bëhet rikthimi i shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë punën e ambulancave specialistike, operacioneve joemergjente dhe shërbimeve tjera elektive.

“Kjo punë e pandemisë nuk ka qenë e lehtë dhe vazhdon të jetë sfiduese. Të vazhdojmë të respektojmë masat dhe rekomandimet e dala nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrisë. Lirimi i masave nuk nënkupton largim të tërësishëm të virusit, mirëpo kërkon përgjegjësi shtesë dhe të jeni më të kujdesshëm”, theksoi Zemaj.

Për ndryshimet në masat anti-COVID në këtë konferencë për medie foli edhe drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, shkruan “Zeri.info”.

“Situata epidemiologjike dhe aspekti klinik i pacientëve me COVID-19 i mundëson SHSKUK-së rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve shëndetësore për pacientët në nevojë”, tha Krasniqi.

Ai njoftoi se nga sot kanë filluar shërbimet në ambulancat specialistike të shërbimit të QKUK-së.

“Dje drejtorët e të gjitha spitaleve të përgjithshme, po ashtu janë udhëzuar që konform këtij vendimin dhe situatës epidemiologjike të rifillojnë rikthimin gradual të këtyre shërbimeve”, shtoi ai. /Zëri