Hoti thotë se Qeveria është stabile, “s’ka nevojë për komunikim me parti tjera”
Foto: Laura Hasani

Hoti thotë se Qeveria është stabile, “s’ka nevojë për komunikim me parti tjera”

Aktuale September 28, 2020 - 10:55

Derisa koalicioni qeverisës nuk po arrin ta kalojë në Kuvend projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike dhe pas disa “kacafytjeve” me AAK-në, kohëve të fundit është përfolur që në Qeveri të përfshihet edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Por me këtë nuk po pajtohet kryeministri Avdullah Hoti, i cili, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, në një konferencë me gazetarë ka deklaruar se koalicioni qeverisës është stabil.

Madje tha se ky koalicion nuk ka nevojë për komunikime me parti të tjera.

“Koalicioni qeverisës është duke funksionuar, Qeveria është stabile. Nuk shoh arsye për hyrje në komunikim me parti tjera”, tha Hoti, raporton “Zeri.info”.

Idenë për përfshirjen e PDK-së në këtë kohë në koalicionin qeverisës, i përbërë nga LDK – AAK - Nisma e Lista Serbe, tërthorazi e propozoi edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili ditë më parë tha se partia e tij i ka hequr vijat e kuqe me PDK-në. /Zëri