Osmani me Lobbezoon diskutojnë për bashkëpunimin Kosovë - Holandë

Osmani me Lobbezoon diskutojnë për bashkëpunimin Kosovë - Holandë

Aktuale September 28, 2020 - 14:16

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadoren e porsaemëruar holandeze, Carin Lobbezoo, të cilat diskutuan në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Holandës.

Po ashtu u fol edhe për situatën me pandemi, me të cilën po përballen të dyja vendet.

Osmani njoftoi ambasadoren me atë se çka po ndërmerr aktualisht Kuvendi, ku theksoi se, përveç miratimit të ligjeve, po merret edhe me çështje që lidhen direkt me jetën e qytetarëve, siç janë: shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.

Ndërkaq, në njoftimin për media, thuhet se ambasadorja Lobbezoo e përgëzoi kryetaren Osmani për votimin unanim të Konventës së Stambollit, posaçërisht mbështetjen nga partitë opozitare dhe ato të komuniteteve pakicë.

Kurse Osmani ka thënë se “me këtë Konventë fuqizohet baza ligjore me të cilën mbrohen të drejtat e grave në shumë aspekte”.

Kryeparlamentarja theksoi se nevojitet konsistencë në platformat politike që u prezantohen qytetarëve.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua për bashkëpunimin ndërparlamentar ndërmjet Kosovës e Holandës dhe shkëmbimin e praktikave ndërmjet dy shteteve, si dhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. /Zëri