Biserko: Me marrëveshjen e Washingtonit Serbia e Rusia hoqën dorë nga Kosova, mësynë Malin e Zi

Biserko: Me marrëveshjen e Washingtonit Serbia e Rusia hoqën dorë nga Kosova, mësynë Malin e Zi

Aktuale September 28, 2020 - 14:50

Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, ka thënë se me marrëveshjen e Washingtonit duket se Serbia dhe Rusia i kanë hequr duart nga Kosova dhe janë mësyrë nga Mali i Zi, si qëllim më i rëndësishëm strategjik.

Në një intervistë për “Tacno.net”, Biserko thotë se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi nuk do të ishin siç janë sikur të mos përzihej faktori i huaj, Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe.

“Ndërsa rezultati është i pasigurt, presidenti Trump po përdor gjithçka që ka në dispozicion. Dakordimi i Serbisë për një marrëveshje të tillë përfaqëson gjithashtu mbështetjen e Vuçiqit për Trumpin dhe Vuçiqi gjithashtu ka edhe mbështetjen e Rusisë për këtë. Si Rusia, ashtu edhe Serbia dëshiron fitoren e Trumpit. Vendosja e marrëveshjes në një kontekst të Lindjes së Mesme – natyrisht, nëse ajo realizohet ndonjëherë – e vendos Serbinë në një pozitë të padëshirueshme në lidhje me partnerë të shumtë, të tillë si BE-ja, vendet arabe, Turqia, Kina dhe, kushtimisht Rusia. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë duket se me marrëveshjen e Washingtonit në të vërtetë po ngrihen duart nga Kosova (nga ana e Serbisë dhe e Rusisë) dhe po i drejtohen Malit të Zi si një qëllim më i rëndësishëm strategjik”, tha Biserko në këtë intervistë, transmeton “Zeri.info”.

Sipas saj, është e mundshme që zgjedhjet në Mal të Zi kanë ndryshuar paradigmën strategjike ballkanike dhe se tani Rusia dhe Serbia janë përqendruar në Malin e Zi.

“Në këtë rast, nëse është e vërtetë, Kosova është në një situatë shumë të favorshme. Beogradi sigurisht se do të përpiqet që përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të fitojë ndikim në Kosovë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, për sa i përket rezultatit zgjedhor në Mal të Zi, Biserko thotë se forcat opozitare para zgjedhjeve deklaronin se do ta çnjohin Kosovën, do të largohen nga NATO-ja e do ta ndryshojnë identitetin e Malit të Zi, në mënyrë që në regjistrimin e ri të popullsisë vitin e ardhshëm të paraqitet përqindje sa më e madhe e serbëve.

“Në këtë rast Serbia dhe Mali i Zi do të ishin dy shtete me popull të njëjtë. Natyrisht, kjo retorikë është më e qartë pas zgjedhjeve, sepse u përfshinë BE-ja, NATO-ja dhe shtetet individuale të BE-së. Pyetja është se sa ata do të arrijnë të mbajnë orientimin properëndimor të Malit të Zi përmes URA-s së Dritan Abazoviqit. Është naive për ta të besojnë se përmes katër deputetëve të URA-s ata mund të arrijnë pritje të tilla”, tha Biserko.

Sipas saj, mediat serbe, edhe para se të niste fushata zgjedhore, Malin e Zi e paraqisnin kryesisht në kontekstin negativ me tezën e rrezikimit të popullit serb. Patriarku Irinej ka shkuar madje aq larg sa të deklarojë se “statusi i serbëve është si në kohën e krijimit famëkeq fashist të Shtetit të Pavarur të Kroacisë”. /Zëri