Infektuar: 18910
Shëruar: 15367
Vdekur: 674
Vetëvendosja reagon pas deklaratës së Thaçit: “Albin Kurti ende këndon para Serbisë”

Vetëvendosja reagon pas deklaratës së Thaçit: “Albin Kurti ende këndon para Serbisë”

Aktuale October 16, 2020 - 08:27

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj një deklarate të mbrëmshme të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për liderin e tyre të partisë, Albin Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur disa kritika për veprimtarinë e Kurtit gjatë kohës së luftës.

Ai tha se Kurti “ka kënduar te Serbia si bylbyl, e njëjtë thotë se vepron edhe sot”.

“E di se mund të jetë i shqetësuar se e vërteta del në shesh, por do të ndihet i turpëruar dhe para fëmijëve të vet. Ai e di. Albin Kurti ka kënduar te Serbia si bylbyl, këndon edhe sot. Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar ‘Bjello Dugmën’ në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, deklaroi mbrëmë Thaçi.

Ndaj këtyre deklarimeve të presidentit kanë reaguar nga Vetëvendosja.

Anëtari i kësaj partie, Ilir Dugolli, shkruan se sa herë Hashim Thaçi mundohet të vërë njolla në personalitetin dhe aktivitetin atdhetar e shtetëror të Albinit Kurtit, mbështetja për Kurtin rritet.

“Askush më nuk i beson gjarprit! Si zakonisht ai vazhdon të shpifë për Albinin edhe për përudhen e burgut, por askush s’i beson. E vërteta për qëndresën e Albinit në burg është një horizont i pakapshëm për Hashimin.

Hasha ligështohet edhe sot kur përballet me Vuçiqin, e lëre më të ishte në vend të Albinit. Ndërsa Albini nuk u mposht e nuk u tremb në burg, e lëre më në liri. Albini ka shumë shokë sepse kurrë nuk e braktisi idealin për liri e shtet të së drejtës. Ndërsa Hashimi nuk ka më shokë, sepse e braktisi idealin dhe i humbi edhe ata shokë që i kishte”, ka shkruar Dugolli.

Këtë deklaratë të Dugollit e ka mbështetur edhe anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, që e ka shpërndarë postimin e tij mëngjesin e sotëm.

Deklaratës së presidentit i ka reaguar edhe ish-këshilltari i Kurtit, Jeton Zylfaj. Ai në “Facebook” ka shkruar se vetë Thaçi ishte larg vijave të fronit të luftës e afër vijave për pushtet e pasurim.

Anëtari i Kryesisë së LVV-së, Arbër Zaimi, ndërkaq ka shkruar se Thaçi i ka keqpërdorur të gjitha mundësitë për të forcuar e zhvilluar shqiptarët.

Deklarata e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit vjen pas deklarimit të Albin Kurtit se presidenti i vendit “ka kënduar si bylbyl para prokurorëve të Hagës për katër ditë me radhë”.