Infektuar: 38431
Shëruar: 23754
Vdekur: 989
Përplasen sërish Osmani e Hoti, “mollë sherri” organizimi i Darkës së Lamës

Përplasen sërish Osmani e Hoti, “mollë sherri” organizimi i Darkës së Lamës

Aktuale October 17, 2020 - 22:39

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se të enjten e ardhshme do ta shënohet Festa e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës, të cilën ilirët e vjetër, e shënonin përvjet si festë kulturore popullore rreth datës 23 tetor.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Hoti tregoi se sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID-19, kjo festë do ta shënohet në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve.

Në një përgjigjie për Klan Kosova nga kabineti i Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, reaguan për kopjim të idesë së Osmanit nga Hoti për Darkën e Lamës pasi sipas tyre Osmani i kishte dërguar ftesat për këtë darkë qysh më 6 tetor.

“Të qeshim së bashku me plagjiatët e Qeverisë. Ka vite të tëra që po presim mos dikush nga këta që janë në Qeveri e kanë qenë edhe gjatë viteve 2014-2017 do ta vazhdojnë traditën e Darkës së Lamës të inicuar nga Presidenti Rugova, traditë kjo që e ndërpreu Presidenti Thaçi, i zgjedhur e imponuar nga po këta. Sivjet, duke e parë që sërish nuk ka organizim të tillë, së bashku me prodhuesit vendor kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe KEMI DËRGUAR FTESAT për shënimin e DARKËS SË LAMËS me qëllim të vazhdimit të traditës, por mbi të gjitha, për të promovuar prodhuesit tanë vendor të cilët janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga efektet e pandemisë këtë vit. Vetëm pasi i kemi dërguar ftesat për ‘save the date’ para më shumë se dy javësh dhe i kemi përsëritur sërish dje dhe kemi marrë konfirmimet nga shumica dërmuese e pjesëmarrësve, Kryeministrit i paska rënë në mend që ekziston Darka e Lamës si traditë dhe thotë se do ta organizojë ai, me qëllim të prishjes së organizimit tonë”.

“Në vend se të bënte plagjiat, do të ishte mirë që të ndërmerrte masa më serioze për mbështetjen e prodhuesve vendor, të cilët janë shumë të pakënaqur me masat e ndërmarra për rimëkëmbje. Pra nuk është se I intereson vazhdimi I traditës, por ka për qëllim të bëjë atë që e bënë gjithmonë: të prishë organizimet e mundin e të tjerëve. Prishja e shkatërrimi është specialitet I tij. Ju që nuk e dini, do ta kuptoni së shpejti.

P.S. Me kërkesë të bashkë organizorëve, për shkak se dikush nga ekipi ishte infektuar me COVI19, organizimi i planifikuar me 23 tetor ishte shtyrë për 30 tetor” thuhet në përgjigjien e kabinetit të Osmanit.