Infektuar: 18910
Shëruar: 15367
Vdekur: 674
Jashari kundër ndryshimit të Kushtetutës: Shteti ynë ka bërë vazhdimisht kompromise të dhimbshme

Jashari kundër ndryshimit të Kushtetutës: Shteti ynë ka bërë vazhdimisht kompromise të dhimbshme

Aktuale October 18, 2020 - 16:29

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas deklaratës së emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak i cili ditë më parë tha se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj, në mënyrë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet.

Jashari në reagimin e tij, e ka kundërshtuar me çdo kusht ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa ka thënë se Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise të dhimbshme.

“Në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk duhet dhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Shteti ynë ka bërë vazhdimisht kompromise të dhimbshme në emër të arritjes së marrëveshjeve me Serbinë, duke përfshirë diskriminimin pozitiv të pakicës serbe në Kosovë dhe votimin e dyfishtë për çështje substanciale si pjesë e kushtetutës sonë”, ka thënë Jashari.

Siç ka thënë ai, ndryshimin e Kushtetutës duhet ta bëjë Serbia nga e cila ka kërkuar përgjegjësi për të pagjeturit, viktimat e luftës, gjenocidin mbi popullatën e pafajshme dhe dëmet materiale të shkaktuara në luftën e fundit në Kosovë.

Jashari vlerëson se të vetmin ndryshim që duhet të bëhet në Kushtetutën e Kosovës është për të hequr votimin e dyfishtë që sipas tij pengon zhvillimin e vendit.

“Kushtetuta e shtetit tonë duhet të ndryshohet vetëm për të hequr votimin e dyfishtë, si derivat i pakos së Ahtisarit dhe i cili pengon të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit tonë. Udhëheqësit tonë shtetërorë duhet t’ia bëjnë me dije faktorit ndërkombëtar që shteti ynë nuk ka për të bërë më kompromise dhe se jemi shteti më i avancuar në Ballkan sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Ai ka bërë thirrjse se është koha e fundit që spektri politik në vend të jenë të bashkuar dhe të unifikuar të mbrojtur vendin nga çdo tendencë që mund të vijë për ta futur atë në negociata e kompromise të dhimbshme.

“Çdo veprim i sotëm i udhëheqësve tanë duhet të jetë konform Kushtetutës dhe duke mos prekur në asnjë mënyrë shtetësinë, sovranitetin dhe territorialitetin e shtetit tonë”, ka shkruar kryetari i Skenderajt./Zëri