Avokati kundërshton masën e paraburgimit për Labinot Grudën, i dyshuari për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove

Avokati kundërshton masën e paraburgimit për Labinot Grudën, i dyshuari për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove

Aktuale October 22, 2020 - 12:36

Sot po mbahet seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Labinot Grudës, i cili dyshohet se ka transferuar 2.1 milionë euro në llogarinë e një kompanie nga Thesari i Shtetit.

Prokurori i rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, kërkesë e cila po kundërshtohet nga mbrojtja e Grudës.

Avokati i tij, Veton Rrecaj, ka thënë se kërkesa e prokurorisë për paraburgim është e pabazuar dhe e padrejtë, transmeton Zeri.info.

“I mbrojturi im dyshohet për një transaksion në vlerë prej 2 milionë eurove nga vendi i tij i punës e që nuk është e saktë, as e bazuar, përkundrazi ju e keni parë dje ministren Bajrami e cila ka deklaruar se mjetet që prokuroria pretendon që janë keqperdorur janë të sigurta, atëherë lind pyetja si mund të jetë një mjet edhe i vjedhur edhe i sigurt? Në këtë rast deklarata e saj është në kundërshtim të plotë me masën e prokurorisë për masën e paraburgimit”, ka thënë Rrecaj.

Avokati shtoi se Prokuroria paraqiti kërkesën e saj për caktimin e paraburgimti por sipas tij, nuk paraqiti asnjë provë konkrete e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë.

Ai tha se vendimi për masën e paraburgimit pritet të merret pas orës 15:00. /Zëri