Zafir Berisha për vjedhjen e 2 milionëve: Nuk mund të ruaj me “snajperkë” çdo institucion

Zafir Berisha për vjedhjen e 2 milionëve: Nuk mund të ruaj me “snajperkë” çdo institucion

Aktuale October 22, 2020 - 15:22

Koordinatori për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha, ka reaguar për vjedhjen e mbi dy milionë eurove të Thesarit të Shtetit.

Berisha në një reagim që ia ka bërë Agron Demit nga KDI-ja, i cili akuzoi institucionet se vjedhjet e tilla po bëhen edhe për arsye se po emërojnë njerëz joprofesionalë në pozita të rëndësishme, duke përmendur edhe vetë Berishën, thotë se vjedhja në Thesarin e Shtetit nuk ka lidhje me krim kibernetik.

Berisha ka thënë se Demi, të cilin e ofendon rëndë duke e quajtur “racë e poshtër”, po mundohet të bëhet interesant duke ia përmendur emrin e tij.

“Raca e poshtër e sojit të Agron Demit po mundohen me u bërë interesant dhe lajm duke e lakuar emrin tim! ‘Hajni i shtëpisë’ sipas mendimit tim nuk mundet të quhet “sulm kibernetik”, sepse sipas asaj që deri në këto momente është publike, vjedhja e më shumë se 2 milion eurove në ministrinë e znj. Bajrami po del të është bërë nga dikush brenda, i cili e ka shfrytëzuar ‘pauzën’ për të ndërhy nëpër fjalëkalime në sistemin e thesarit”, ka shkruar Berisha.

Më tej, zëvendësministri i Brendshëm, Berisha, thotë se emërimi i tij si koordinator nacional për siguri kibernetike “nuk nënkupton se me ‘snajperkën’ time të luftës duhet t’i ruaj sistemet e ndjeshme të çdo institucioni”.

“Detyra që jam duke bërë është që Kosova urgjentisht të ketë ligjin për siguri kibernetike, që për fatin e keq deri tash i mungon dhe përmes ligjit të krijojmë autoritete të veçantë për siguri kebernetike”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ka qenë vetë ministrja Hykmete Bajrami e cila sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, vjedhjen e 2.1 milionë eurove të Thesarit, e ka quajtur krim kibernetik.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik dhe kiberentik, pasi janë thyer edhe paswordat dhe janë krijuar userë pa asnjë nënshkrim”, është shprehur ministrja Bajrami. /Zëri