Privatizimi në Kosovë nën hetime

Privatizimi në Kosovë nën hetime

Aktuale October 24, 2020 - 18:33

Procesi i privatizimit në Kosovë i cili ka nisur 17 vite më parë ka përfunduar në një Komision hetimor parlamentar, i cili deri më tani, ka vënë në pah se ekzistojnë indikacione që ky proces është përcjellur me parregullsi të shumta.

Komisioni është duke e hetuar procesin e privatizimit i nisur në vitin 2003 nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), që u pasua në në vitin 2008 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Nga procesi i privatizimit janë shitur mbi 2000 asete me një vlerë prej mbi 750 milionë euro. Këto ndërmarrje u privatizuan në mbi 100 valët e privatizimit të zhvilluara deri më tani.

Shumica e ndërmarrjeve të shitura në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo e cila lejon destinimin e ndërmarrjes, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Nga privatizimi nuk shpëtuan as sipërfaqet e tokave bujqësore në pronë publike. Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes, valëve të privatizimit, në vazhdimësi ka shpallur në shitje sipërfaqe të ndryshme të tokës bujqësore.

Në një raport të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të publikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 663 toka bujqësore dhe toka të kategorive të tjera, pa specifikuar sipërfaqen. Nga ky numër thuhet se 595 janë tokë bujqësore, kurse 68 toka të kategorive tjera.

E gjithë kjo sipërfaqe, sipas raportit të AKP-së, është shitur për rreth 164 milionë euro.

 

21 dëshmitarë të ftuar për intervistim

Për privatizimin e këtyre aseteve, Komisioni parlamentar hetimor ka ftuar 21 dëshmitarë, përgjegjës të procesit të privatizimit.

Të ftuar janë ish-ministra përgjegjës për privatizimin, kryesues dhe anëtarë të bordit dhe ish-kryesues dhe anëtarë të bordit të AKP-së dhe AKM-së, drejtorë menaxhues dhe ish-drejtorë menaxhues të AKP-së dhe AKM-së dhe ish-zyrtarë të UNMIK-ut të shyllës së katërt, që në atë kohë e kishin mbuluar privatizimin.

Intervistimi i të dyshuarve ka filluar më 12 tetor, pas sigurimit të një dokumentacioni nga institucionet relevante si Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe institucione tjera. Për shqyrtimin e këtij dokumentacioni janë angazhuar edhe ekspertët e jashtëm.

Gjashtë nga 21 dëshmitarët e thirrur nga ky Komision janë dëgjuar deri më tani, ndërsa me pjesën e mbetur do të vazhdohet në dy javët e ardhshme.

Këta 21 dëshmitarë janë vetëm grupi i parë, pasi që, siç thotë Hajrullah Çeku, kryetar i Komisionit shumë shpejtë do të jetë edhe grupi i dytë i dëshmitarëve që do të ftohen nga Komisioni.

Në grupin e dytë të intervistuarve do të jenë të ftuar pronarë të kompanive që kanë privatizuar ndërmarrje shoqërore, ekspertë dhe njohës të çështjes së privatizimit, gazetarë dhe aktivistë që kanë përcjell procesin e privatizimit dhe ish-punëtorë të ndërmarrjeve që kanë raste dhe konteste lidhur më të drejtat e tyre.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL.