Trumpi sërish thotë se ka ndalur vrasjet mes Kosovës dhe Serbisë

Trumpi sërish thotë se ka ndalur vrasjet mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale October 24, 2020 - 20:34

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me zyrtarë nga Izraeli dhe Sudani, ku u konfirmua marrëveshja për paqe mes këtyre dy vendeve, foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha sërish se me atë marrëveshje ka arritur t'i ndalë vrasjet mes dy vendeve, vrasje të cilat, sipas tij, kanë ndodhur për shumë vjet, raporton Zeri.info.

I pyetur nga gazetarët për marrëveshjen për paqe mes Izraelit dhe Sudanit, ai tha se SHBA-së nuk po i kushtojnë asgjë këto marrëveshje.

"E dini se çfarë po i kushton SHBA-së? Asgjë. Asgjë. Është shumë mirë. Apo jo? Unë them, 'Asgjë'. Përse duhet të paguajmë? Po e arrijmë paqen. Është si në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Shikoni se çfarë ka ndodhur atje: po e arrinim një marrëveshje tregtare - dy marrëveshje tregtare - dhe ata po e vrisnin njëri tjetrin vazhdimisht për 25 vjet me radhë. A po jo? Edhe më herët se kaq. Thash, 'prisni pak, po bëjmë tregti me secilin prej këtyre vendeve. Përse të mos pajtohemi në mënyrë që të mos vriteni me njëri-tjetrin?'. Dhe ata ishin shumë të lumtur. E dini, ata ishin shumë të lumtur. Arritëm marrëveshjen", tha Trumpi. 

Çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi në këtë bashkëbisedim e përmendi edhe Këshilltari Amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, duke ia kredituar Trumpit këtë të arritur.

"E arritët normalizimin mes Serbisë dhe Kosovës, normalizimin ekonomik. Kosova është një vend tjetër me shumicë muslimane që e ka njohur Izraeli dhe e ka zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem", theksoi O'Brien.

Trumpi edhe në fushata zgjedhore e ka përmendur në disa raste çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe ka thënë t'i ketë ndalë vrasjet mes dy popujve. /Zëri