Në Spitalin e Pejës, 4 pacientë me COVID-19 në gjendje më të rëndë

Në Spitalin e Pejës, 4 pacientë me COVID-19 në gjendje më të rëndë

Aktuale October 26, 2020 - 09:58

Spitali i Përgjithshëm i Pejës, përmes raportit të fundjavës, ka njoftuar për gjendjen aktuale të pacientëve të shtrirë atje.

Në këtë spital raportohet se po trajtohen 25 pacientë, të cilët janë të prekur me COVID-19. Prej tyre 17 janë në oksigjenoterapi dhe nga këta katër janë në gjendje më të rëndë.

“Aktualisht po trajtohen 25 pacientë me COVID-19. Sa i përket gjendjes së pacientëve, 17 pacientë janë në oksigjenoterapi dhe nga këta 4 pacientë janë në gjendje më të rëndë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës, raporton “Zeri.info”.

Po ashtu thuhet se gjatë vikendit të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë 611 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësor dhe nga këta 43 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm.

Gjatë kësaj fundjave në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë kryer 17 lindje, nga të cilat 13 kanë qenë normale dhe 4 me prerje cezariane.

“Kanë lindur 17 foshnje, 9 të gjinisë mashkullore dhe 8 të gjinisë femërore”, thuhet më tej në raport.

Ndërkaq, thuhet se 422 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 4.771 analiza, sikurse edhe që janë kryer 16 operacione gjatë këtyre dy ditëve të fundit. /Zëri