Ahmeti: Nuk kemi nevojë për mbyllje e restrikcione shtesë nga Qeveria

Ahmeti: Nuk kemi nevojë për mbyllje e restrikcione shtesë nga Qeveria

Aktuale October 26, 2020 - 12:01

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për mbyllje dhe shtrëngim të masave, por sipas tij duhet që vatrat e infeksionit me COVID-19 të identifikohen dhe të trajtohen.

Ahmeti, i cili ia ka bërë një analizë situatës me pandeminë në shtetet fqinje, ka thënë se ato shtete po ballafaqohen me numra alarmantë të virusit, ndërsa ka thënë se Kosova ka mungesë të hulumtimeve në lidhje me COVID-19.

Sipas tij, një nga arsyet se pse në shtetet fqinje po ka numër të lartë të të infektuarve mund të jetë edhe lëvizja pa viza nëpër shtetet e Evropës.

Shkrimi i plotë i Ahmetit:

Shtetet fqinje po ballafaqohen me numra alarmant të virusit. Vetëm dje Maqedonia ka pasur mbi 600 raste të reja dhe 22 viktima. Shumë shtete Evropiane po ballafaqohen me mbyllje të reja për shkak të numrave alarmant.

Kosova duhet të jetë në dilemë në mungesë të hulumtimeve. Para një muaji kemi pas një krizë të madhe dhe numra të lartë në krahasim me fqinjët.

Zakonisht kemi qenë 2-3 javë me vonesë në krahasim me shtetet tjera. Kësaj radhe disa po shpresojnë se krizën që tani tjerët po e kalojnë e kemi kaluar para një muaji.

Duke marr parasysh rrezikun dhe lidhshmërinë me shtetet fqinje, duhet të anojmë në anën e kujdesit. Posaçërisht pas rritjes së numrave tek ne në mbi 130 në ditë. Disa mund të jenë pasojë e hapjes së shkollave, por tani ekziston edhe rreziku i bartjes së virusit edhe më shumë nga shtetet fqinje. Udhëtimi pa viza mund ët jetë edhe një prej arsyeve pse shtetet fqinje kanë më shumë infeksione tani.

Keni kujdes këto ditë! tashmë i dini masat e mbrojtjes. Shkollat po mbyllen në momentin kur më shumë se 5 përqind e stafit janë të infektuar me virus. Kjo po mban numrat në nivel të menaxhueshëm. Nuk kemi nevojë për mbyllje e restriksione shtesë nga qeveria. Kemi nevojë që vatrat të indetifikohen dhe të trajtohen.

Prishtina ka disproporcionalisht më shumë testime prandaj edhe komunat tjera nuk bën të relaksohen sepse si përqindje e testimeve, jemi të gjithë në një nivel.