Manifestimin “Flaka e Janarit” e merr shteti nën mbrojtje

Manifestimin “Flaka e Janarit” e merr shteti nën mbrojtje

Aktuale October 26, 2020 - 14:06

“Flaka e Janarit”, një manifestim kombëtar kulturor, i cili organizohet çdo vit në komunën e Gjilanit, sot mori statusin e mbrojtjes së trashëgimisë shpirtërore kulturore.

Dorëzimin e këtij statusi te kryetari i kësaj komune, Lufti Haziri, e bëri ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, njofton Ministria përmes një komunikate për medie.

Dumoshi me këtë rast foli për rëndësinë e kësaj ngjarjeje tradicionale dhe vlerësoi 29 manifestimet e mbajtura deri më sot, ku sipas saj “Flaka” ka pasur shumë avancime.

“Vitin e ardhshëm së bashku festojmë 30-vjetorin, prandaj na obligon ta ruajmë, zhvillojmë dhe afirmojmë edhe në përmasa ndërkombëtare si të veçantë, meqë nderon figurat më të ndritshme të kulturës dhe të kombit”, theksoi ajo.

Ministrja Dumoshi premtoi se ky manifestim do të përkrahet nga MKRS-ja, pasi si organizim “Flaka e Janarit” mundëson pjesëmarrjen e artistëve kulmorë të kombit dhe afirmon kulturën e vlerat tona.

Ndërsa i pari i Gjilanit ka vlerësuar këtë status si mirënjohjen më të madhe që i është dhënë kësaj komune.

“Kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke shtuar se rangohet me mirënjohjen që Parlamenti Evropian ia ka dhënë me epitetin ‘Qytet i paqes’ dhe në rrafshin e mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si ‘Qytet i lirisë’. Për 30 vjet burra e gra në Gjilan, në ditët më të vështira dhe në ditë të mira, janë gjunjëzuar para veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët i kanë dhënë këtij vendi ditën e bardhë të lirisë”, ka thënë Haziri.

Manifestimi kombëtar i kulturës “Flaka e Janarit” filloi më 18 janar të vitit 1992, në 10-vjetorin e shënimit të rënies së heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Konsiderohet si organizimi ndër më unikët dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit. /Zëri

Image

Image

Image