Mbyllen 14 shkolla, infektohen mbi 250 nxënës e mësimdhënës
Foto: Laura Hasani

Mbyllen 14 shkolla, infektohen mbi 250 nxënës e mësimdhënës

Aktuale October 27, 2020 - 15:25

Për shkak të paraqitjes së rasteve pozitive me koronavirus, si në mesin e nxënësve, ashtu edhe të mësimdhënësve, 14 shkolla në Kosovë janë mbyllur, kurse mësimi ka kaluar online.

Diellza Kukaj, zyrtare për informim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thotë se numri i nxënësve të infektuar me koronavirus është 130, ndërkaq i mësimdhënësve 148.

“Gjitha shkollat, që tashmë janë mbyllur, kanë kaluar sipas planit C, pra mësimi po mbahet online. Ky është bilanci i të infektuarve që ne e kemi marrë ditën e premte (23 tetor) nga e gjithë Kosova, pra kemi 148 mësimdhënës dhe 130 nxënës të infektuar”, tha Kukaj për radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Ministria e Arsimit ka paraparë që në këtë vit shkollor mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, ose mësimi i kombinuar, përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë ose online.

Njëra nga nxënëset që për dy javë ka vijuar mësimin online është Renea Munishi. Ajo tregon se në klasën e saj, në shkollën e mesme “Don Bosko” në Prishtinë, një nxënës doli pozitiv me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Pas kësaj, tregon Renea, mësimi u zhvendos online dhe e gjithë klasa u testua për koronavirus nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

"Ndonëse kemi dalë gjithë të tjerët negativë, ne për dy javë nuk kemi shkuar në shkollë, po mësimi ka vazhduar online. Gjatë kësaj jave kemi filluar mësimin në objekt. Ne jemi testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike me teste (me metodën) PCR. Katër profesionistë kanë ardhur në shkollë dhe aty i kanë marrë mostrat e nxënësve. Nuk kemi qenë vetëm ne, ka pasur edhe nga klasë të tjera që janë testuar", tregon ajo.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU