Zemaj paralajmëron anulim të mundshëm të zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë shkaku i COVID-19

Zemaj paralajmëron anulim të mundshëm të zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë shkaku i COVID-19

Aktuale October 29, 2020 - 23:16

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se zgjedhjet e planifikuara më 29 nëntor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut mund të anulohen apo edhe të shtyhen në rast se përkeqësohet situata në vend me COVID-19.

“Kemi një test të zgjedhjeve në Podujevë dhe në Mitrovicë. Sot bashkë edhe me Bordin Këshillëdhënës do të nxjerrim disa rekomandime dhe do t’ia shpërndajmë edhe KQZ-së. Kjo varet nga situata epidemiologjike në vend. Zgjedhjet mund të anulohen, të shtyhen apo edhe mund të mbahen”, njofton Klan Kosova.

“Siç e kemi bërë publike s’ka aktivitete publike, nuk lejohet grumbullimi i më shumë se pesë personave, aktivitetet partiake mund të mbahen sipas kritereve aktuale që po i përdorim 10-15 persona sipas manualit. Gjithashtu mbikëqyrja do të rritet, por nëse kemi përkeqësim të gjendjes do të kemi edhe kufizime”, tha ai në Rubikon.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, Zemaj tha se nëse “niveli i mospërgjegjësisë politike shkon skajshmërisht” atëherë barra e përgjegjësisë do të bie mbi vetë ata.