VV-ja në Mitrovicë: Ata që i drejtohen Kosovës me “Metohija” nuk mund të përfaqësojnë qytetarët

VV-ja në Mitrovicë: Ata që i drejtohen Kosovës me “Metohija” nuk mund të përfaqësojnë qytetarët

Aktuale November 29, 2020 - 13:20

Dega e Vetëvendosjes në Mitrovicë përmes një postimi në ‘Facebook’ ka reaguar në lidhje me deklaratat e përfaqësuesve të Listës Serbe, në Mitrovicën e Veriut.

Sipas VV-së, ata që i drejtohen Kosovës me ‘Metohija’ nuk mund të përfaqësojne qytetarët e këtij vendi.

“Kryetari i listës serbe, që njëherësh është zëvendës kryeministër, Goran Rakiq ka bërë thirrje të votohet Lista Serbe, duke thyer kështu ligjin për zgjedhje dhe heshtjen zgjedhore, ndërkohë kandidati për kryetar të veriut Radejoviq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë, duke mohuar shtetësinë tonë dhe duke ofenduar qytetarët e pjesës veriore”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Ata kanë thënë se kanë dorëzuar ankesë për shkeljen e heshtjes zgjedhore në PZAP.

Kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq ka shfrytëzuar të drejtën e votës në veri të Mitrovicës, i shoqëruar nga udhëheqësit e kësaj partie.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq përmes një konference për media, kanë thyer heshtjen zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut që të dalin në mënyrë sa më masive në zgjedhje e ta votojnë kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq.