D4D: Masat anti-COVID në zgjedhje nuk po respektohen në përpikëri

D4D: Masat anti-COVID në zgjedhje nuk po respektohen në përpikëri

Aktuale November 29, 2020 - 13:49

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka njoftuar se është duke vëzhguar procesin zgjedhor për kryetar në Komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, ky institut ka bërë të ditur se deri më tani procesi zgjedhor është duke shkuar qetë dhe pa incidente.

“Instituti D4D si çdo palë zgjedhje, edhe kësaj radhe është duke vëzhguar procesin për zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe Komunën e Mitrovicës së Veriut. Në bazë të raportimit nga ekipet mobile të D4D, deri tani procesi zgjedhor është duke shkuar qetë dhe pa incidente”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq nga instituti D4D thonë se masat mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19 nuk po respektohen në përpikëri.

“Përveç faktit që masat mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19 nuk po respektohen në përpikëri në bazë të udhëzuesit administrativ nr. 03/2020 për masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, të miratuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, thuhet më tej në njoftimin e këtij Instituti./Zëri