76 vjetori i çlirimit, festa e dytë të nëntorit nën masa kufizuese

76 vjetori i çlirimit, festa e dytë të nëntorit nën masa kufizuese

Aktuale November 29, 2020 - 14:22

Dita e sotme shënon 76-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore.

Ky përvjetor e gjeti Shqipërinë në një gjendje tjetër të jashtëzakonshme, jo ajo tradicionale siç shkruhet në librat e historisë, por me një armik të padukshëm që po gjunjëzon gjithë botën, COVID-19.

Si çdo luftë që ka brenda shumë beteja ajo me koronavirusin do të vijojnë çdo ditë dhe rezultati do të duket nga shifrat e përditësimit nga Ministria e Shëndetësisë, por sot shqiptarët kremtojnë sakrificën e heronjve të kombit të cilët për mbi pesë vite luftuan ndaj okupatorëve fashistë e më pas ato nazistë.

Organizimet shtetërore do të jenë të kufizuara për shkak të masave anti-COVID, njësoj si një ditë më parë në festën e108 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Por pavarësisht kufizimeve në organizimet festive, nderimet për heronjtë e kombit nuk do të mungojnë.

Për të dytin vit radhazi heronjtë u nderuan ndryshe. Një vit më parë ishte tërmeti që kishte gjunjëzuar vendin, ndërsa sot coronavirus.

Zyrtarët më të lartë shtetëror vendosën kurora me lule pranë monumentin “Nënë Shqipëri“ në shenjë nderimi për dëshmorët e kombit.

Por, për krerët e institucioneve përulja përpara heronjve nuk u përkthye në përulje përballë njëri-tjetrit. Ilir Meta dhe Edi Rama zgjodhën të mos bënin paqe edhe në ditën e çlirimit gjë që u pa edhe në mënyrën se si u përshëndetën gjatë cereomonisë ndërsa Partia Demokratike vijon ta kundërshtojë datën 29 si ditë çlirimi.

Presidenti zgjodhi që urimin për shqiptarët ta jepte edhe përpara kamerave.

“Duhet të marrim më shumë përgjegjësi që të ndalim shpopullimin e Shqipërisë nga të rinjtë në radhë të parë dhe nga të gjithë shqiptarët. Vetëm kaq orë të bëjnë të mundur që të edhe të gjithë ata që ka ikur të kthehen në vendin tonë dhe të kontribuojnë që Shqipërisë ta bëjnë si e gjithë Europa”, u shpreh Meta.

Ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u shpreh: "Është detyra jonë që në këtë ditë përkujtimore, jo thjesht për të kujtuar, por është ditë që duhet të rrënjoset në mendjet tona, dhe sidomos klasës politike që të mos bëjmë më gabimet që kemi bërë.

Të mbyllim njëherë e përgjithmonë këtë situatë tranzicioni në këtë vit të mbrapsht apo edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit, për të ri-ngritur edhe njëherë pasionin, dashurinë për vendin".

Ceremonisë festive iu bashkuan edhe nostalgjikët e regjimit diktaktorial. Me foto të ish-diktatorit në duar vijuan ritualin e përvitshëm pa iu trembur virusit pavarësisht se kjo është grup-mosha më e rrezikuar.

Nuk ka munguar edhe një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili ka përkujtuar këtë 76-vjetor me vargjet e Qemal Stafës. Në një postim në Facebook Rama ka shkruar vargjet e Stafës: “E vjetra po shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”.

Ndërkohë theksojmë se 76-vjetori i çlirimit e gjeti vendin në një gjendje tjetër të jashtëzakonshme, jo ajo tradicionale siç shkruhet në librat e historisë, por me një armik të padukshëm që po gjunjëzon gjithë botën, COVID-19.