Akuzat se policët po i ngacmojnë seksualisht vajzat në rrugë, Inspektorati tregon për 6 të arrestuar

Akuzat se policët po i ngacmojnë seksualisht vajzat në rrugë, Inspektorati tregon për 6 të arrestuar

Aktuale December 03, 2020 - 17:34

Javët e fundit janë drejtuar akuza të rënda në drejtim të zyrtarëve policorë në vend. Aktivistja Arta Avdiu, ka thënë se policët më shumë po i ndalojnë gratë dhe vajzat për t’ua marrë numrat e telefonit, sesa për t’i dënuar.

 “Një numër i madh i policëve në KS, janë tu e keqpërdorë detyrën zyrtare për përfitime seksuale. Gratë dhe vajzat më shumë po i ndalojnë që të ua marrin nr e telit, sesa që ato kanë ba shkelje. Dhe ne momentin që ato nuk i përgjigjen, ata po i dënojnë”, ka shkruar Avdiu në Facebook.

E se ka raste kur zyrtarët policorë ngacmojnë seksualisht vajzat dhe gratë e kanë konfirmuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga IPK’ja i kanë thënë Gazetës Express se për ngacmime seksuale në tri vitet e fundit janë arrestuar gjashtë zyrtarë policorë dhe se është rekomanduar edhe suspendimi i tyre.

“Duke ju referuar statistikave zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës, për tri vitet e fundit (periudha kohore 2018,2019 dhe 2020), me dyshimin për veprat penale të cekura në kërkesën tuaj, IPK ka arrestuar 6 zyrtarë policorë e poashtu është  dhënë edhe  rekomandimi për suspendimin e 6  zyrtarëve policorë”, kanë deklaruar nga IKP’ja.

Përveç zyrtarëve policorë, Inspektorati ka arrestuar edhe tre qytetarë nën dyshimin për vepra të tilla penale.

“Ndërsa si rezultat i hetimeve penale nën dyshimin për vepra të njëjta penale nga IPK janë arrestuar edhe tre qytetarë”, kanë deklaruar nga Inspektorati.