E nxorën me dhunë para pesë viteve nga mbledhja e LDK-së, sot iu bashkua Osmanit

E nxorën me dhunë para pesë viteve nga mbledhja e LDK-së, sot iu bashkua Osmanit

Aktuale January 16, 2021 - 15:54

Momenti kur ish-kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla nxirret me dhunë nga mbledhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan Zeri.info.

Në vitin 2016, kur Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ishte duke zhvilluar mbledhjen pa praninë e mediave, Gërvalla ishte ndaluar të hyjë në këtë mbledhje, mirëpo, ajo përsëri ka tentuar të hyjë, por rojet e larguan atë me forcë.

Gërvalla para mediave kishte deklaruar se mos pranimi i saj në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ishte përgjegjësi e sekretarit të Përgjithshëm.

“Unë erdha për të marrë pjesë në punimet e Këshillit të Përgjithshëm, sekretari i përgjithshëm ka qenë i informuar që ndodhëm këtu. Jam pajisur me dokumentacione të Këshillit, këta zotrinjët te dera pretendojnë që nuk duhet të hyjë brenda, u përpoqa të hyjë brenda dhe u përpoqa që nuk është përgjegjësi e tyre por e sekretarit të përgjithshëm që të dal të më marrë dhe të më fus brenda. Reagimet ju i patë”, kishte potencuar ajo.

Mirëpo, pas këtij veprimi të bërë ndaj Gërvallës, deputetja e LDK-së atë kohë, Vjosa Osmani është larguar nga ajo mbledhje.

Në një prononcim për media, Osmani dëbimin e Gërvallës e kishte quajtur ngjarje të turpshme.

“Kjo ka qenë një ngjarje e turpshme se ajo u largua me dhunë nga vendi ku u mbajt takimi. Unë hyra pastaj në sallë në mënyrë që të informojë këshillin për këtë që ndodhi dhe kërkova nga anëtarët e këshillit të reagojnë ndaj kësaj ngjarje të turpshme sepse jashtë sallës është lënë një anëtare e familjes së LDK-së që ka kontribuar qysh nga vitet e hershme të 90-ta, me gjithë atë fatkeqësisht nuk kishte reagim”, kishte thënë Osmani.

Ndërkaq, sot ish-kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla-Schwarz, njëherësh vajza e veprimtarit Jusuf Gërvalla, i bashkohet listës së Vjosa Osmanit.

Këtë para pak minutash e ka konfirmuar për “Zërin” kabineti i u.d së presidentes Osmani. Gërvalla-Schwarz do të jetë kandidate për deputete në zgjedhjet e 14-shkurtit./Zëri