MD-ja finalizon strategjinë e rishikimit funksional të sektorit për sundimit të ligjit
Foto:Laura Hasani

MD-ja finalizon strategjinë e rishikimit funksional të sektorit për sundimit të ligjit

Aktuale January 18, 2021 - 13:28

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me kryesuesin e KGJK-së, Skender Çoçajn dhe kryesuesin e KPK-së Bahri Hysenin kanë prezantuar përmes një konference për media projekt-strategjinë për sundimin e ligjit, që buron nga procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

Me këtë rast Selimi tregoi se projekt-strategjia përmban katër objektiva strategjike.

“Sot kemi përpiluar planin pesëvjeçar të ndryshimit pozitiv në sistemin e drejtësisë, pra kemi finalizuar Strategjinë që del nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit. Kjo Strategji përmban katër objektiva: fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, fuqizimi i drejtësisë penale, fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës antikorrupsion”, tha Selimi.

Sipas tij, përmes kësaj strategjie shpalosen hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për të vendosur sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Kjo strategji, sipas tij, është nisma më serioze që Kosova e ka ndërmarrë drejt avancimit të sundimit të ligjit dhe për këtë proces falënderoi bashkëpunëtorët nga Ambasada Amerikane, Ambasada Britanike, UNDP-ja, USAID-i, Unioni Evropian, si dhe përfaqësuesit kyçë të institucioneve të drejtësisë në vend.

Ndërsa kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, tha se ky proces arrin të adresojë një numër të konsiderueshëm të çështjeve me të cilat ballafaqohet sistemi gjyqësor në Kosovë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që kjo strategji t’i përfshijë objektivat afatmesme dhe afatgjate për sistemin gjyqësor, si dhe për tërë sistemin e drejtësisë”, tha Çoçaj.

Edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, e vlerësoi lart punën për finalizimin e projekt-strategjisë dhe njëkohësisht falënderoi ministrin në detyrë Selimin për bashkëpunim dhe angazhim në këtë proces.

“Ministër, keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë me stafin tuaj, sepse po i ofroni Kosovës, sistemit të drejtësisë dhe në përgjithësi institucioneve të sundimit të rendit dhe ligjit, një dokument i cili do të jetë një bazament i fuqishëm për të ndryshuar, plotësuar dhe avancuar shtetin ligjor”, tha Hyseni.

Donikë Qerimi, e cila është eksperte e jashtme ligjore, tha se kjo strategji është produkt i një procesi të gjatë dhe të detajuar, që është zhvilluar në tri faza.

“Në fazën e parë u bënë disa analiza paraprake, të cilat identifikuan çështjet kryesore që duhej të analizoheshin më tej. Më pas, në fazën e dytë, u analizuan këto probleme në katër kapituj dhe u prodhuan gjithsej 16 dokumente të politikave, me ekspertizë të jashtme e vendore, që u mundësua nga partnerët tanë”, tregoi Qerimi.

Projekt-strategjia për sundimin e ligjit do të dalë në konsultime publike në platformë online, ku të gjithë palët e interesuara kanë të drejtë të shprehin komentet e tyre. /Zëri