SBASHK-u grevën s’e sheh si kërcënim, por si paralajmërim për institucionet

SBASHK-u grevën s’e sheh si kërcënim, por si paralajmërim për institucionet

Aktuale January 18, 2021 - 13:43

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ende i sheh si opsion grevat nëse nuk u paguhen shtesat prej 100 eurove.

Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se grevat nuk janë kërcënim për institucionet e vendit, por janë paralajmërim për ta që t’i përmbushin kërkesat e Sindikatës.

“Nuk është kërcënim, por unë do ta quaja paralajmërim, sepse edhe me Ligjin për Grevat dhe konventat ndërkombëtare Sindikata është e obliguar të lajmërojnë me kohë dhe të tregojë që nëse nuk realizohen çka pritet tutje. Këshilli Drejtues e ka autorizuar kryetarin dhe Kryesinë që në rast se këto dy kërkesa nuk përmbushen unë dhe Kryesia jemi të autorizuar që të fillojmë me veprime sindikale”.

Jasharaj tutje ka kërkuar nga kryeministri në detyrë dhe ministri i Arsimit që të ulen e të bisedojnë për kërkesat e SBASHK-ut, ngase ky i fundit thotë se tashmë është rritur edhe volumi i punës në arsim në këtë periudhë.

“Kryeministri Hoti dhe ministri Likaj duhet të ulen të bisedojnë me ne, në mënyrë që të gjejmë një zgjedhje edhe për kërkesën tonë, për shkak se volumi i punës në arsim është shtuar shumë. Besojmë që këtë javë ministri Likaj do ta tregojë këtë vullnet dhe me të nënshkruar të kontratës tensionet në shkolla do të bien, sepse mësimdhënësit janë duke e pritur me padurim dhe ata besojnë që kryeministri Hoti do t’u dalë në përgjigje që edhe sistemit arsimor t’i bëhet një mbështetje”.

Gjatë ditës së hënës ka filluar edhe gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor, për këtë çështje i pari i Sindikatës thotë se deri më tani i gjithë procesi mësimor është duke shkuar mirë, pasi nuk kanë ndonjë informatë nga terreni për ndonjë parregullsi.

“Siç e di edhe opinioni, edhe Këshilli Drejtues i SBASHK-ut i kishte thënë po fillimit të periudhës së dytë, mirëpo dihet se dy kërkesat tona kanë mbetur pa u zgjedhur dhe opsioni i grevë mbetet i hapur, ne jemi në pritje që të takohemi me kryeministrin Hoti edhe me ministrin Likaj, ngase edhe sot rishtazi u kemi dërguar shkresa zyrtare për takime. Nga ana tjetër, vetë fakti se nuk kemi asnjë informatë nga terreni vlen të theksohet se gjysmëvjetori i dytë ka filluar mirë. Pasdite do të komunikojmë me secilin veç e veç për të parë se si ka shkuar mësimi”.

“Ne përmes kryetarëve të nivelit komunal kemi përgatitur formularë, të cilët sot dhe gjatë ditëve në vijim do të shpërndahen nëpër shkolla dhe pastaj anëtarësia jonë do të deklarohet nëse i përkrah vendimet e Këshillit Drejtues që Kryesia dhe kryetari në rast mosrealizimit të kërkesave të shpallë edhe veprimet sindikale”, ka thënë Jasharaj për EO-në.

Ai ka folur edhe për takimet me subjektet politike në vend për t’i informuar për gjendjen e arsimit. Mirëpo ai ka theksuar se subjektet politike po presin fushatën që të takohen me ta.

“Deri më tash një përgjigje nuk e kemi nga subjektet politike, pasi ata presin zyrtarisht të fillojnë me fushatë dhe në kuadër të fushatës ta bëjnë edhe këtë. Ajo që di dhe jam i sigurt se ne u kemi dërguar të gjitha subjekteve politike ftesa zyrtare dhe unë uroj dhe besoj që ata janë në nivel të tillë të pjekurisë dhe se në takimet me ne nuk mund t’ju sigurojmë vota”. /EO