Infektuar: 70185
Shëruar: 313132
Vdekur: 1616
Java e dytë e vaksinimit në Shqipëri nis me stafin e Pediatrisë

Java e dytë e vaksinimit në Shqipëri nis me stafin e Pediatrisë

Aktuale January 18, 2021 - 14:34

Java e dytë e vaksinimit anti-Covid në Shqipëri ka nisur sot me personelin shëndetësor të pavionit të Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e prekur nga coronavirus.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër procesin e vaksinimit, ndërsa tha se vaksinimi kundër Covid-19 do të vijojë në mënyrë të kombinuar. Ajo tha se deri tani janë vaksinuar 447 mjekë dhe infermierë, të cilët shërbejnë në vijën e parë të frontit.

“Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.

Ministrja shtoi se vaksinimin do të vijojë jo vetëm për personelin e spitaleve Covid, por edhe për linjën e parë të mjekëve në shërbimet e urgjencës dhe reanimacionit, si edhe vaksinimi i kombinuar me të moshuarit e Shtëpive të të Moshuarve.

Ajo shtoi gjithashtu se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e shpërndarjes së vaksinave të para.

“Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha ministrja./EuronewsAlbania