Veliu në përvjetorin e vdekjes së Rugovës: Kreator i miqësisë së përhershme me SHBA-në
Foto:Laura Hasani

Veliu në përvjetorin e vdekjes së Rugovës: Kreator i miqësisë së përhershme me SHBA-në

Aktuale January 21, 2021 - 15:15

Sot, në 15-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se veprimtaria e tij në faza të ndryshme të historisë e bëri atë të përjetshëm.

Veliu theksoi se Rugova kishte guximin, kurajën dhe mendimin politik për ta rreshtuar Kosovën në vlerat demokratike të Perëndimit dhe për ta futur në agjendat e shteteve më të fuqishme të botës.

"I palëkundur në përpjekjet për jetësimin e aspiratave shekullore të një populli që po venitej nga padrejtësitë historike, presidenti Rugova kishte guximin, kurajën dhe mendimin politik për ta rreshtuar Kosovën në vlerat demokratike të Perëndimit dhe për ta futur në agjendat e shteteve më të fuqishme të botës. Rugova është kreatori i miqësisë së përhershme me SHBA-në", ka shkruar ai në "Facebook".

Veliu po ashtu theksoi se "në këtë përvjetor, si në asnjë tjetër, e ndiejmë se rrethanat në të cilat ndodhet vendi ynë kanë domosdonë e ruajtjes së orientimeve të vendosura nga presidenti Rugova". /Zëri