Avokati i Popullit kërkon kompensimin e konsumatorëve që ua paguajnë rrymën komunave serbe në veri

Avokati i Popullit kërkon kompensimin e konsumatorëve që ua paguajnë rrymën komunave serbe në veri

Aktuale January 21, 2021 - 16:47

Me pretendimet se Zyra Rregullative për Energji (ZRrE) ka faturuar kundërligjshëm qytetarët e Republikës së Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore, Avokati i Popullit ka ngritur padi në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte përcaktuar mesataren e ponderuar të kostos së kapitalit prej 15% (përfshirë inflacionin prej 3%) për periudhën tranzitore dhe për shqyrtimin e ardhshëm periodik (1+5 vite) me supozimin se leverazhi është 50%, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë vendim ishte përcaktuar edhe që lakorja e reduktimit të humbjeve në shpërndarja do të filloj nga vlera e realizuar në vitin 2013 dhe do të reduktohet për 3% në tre vitet e para dhe për 2.5% në tre vitet pasuese kurse faktori i ndarjes së humbjeve do të jetë 0%.

Po ashtu, me këtë vendim është përcaktuar që niveli i borxhit të keq të jetë 5% për tre vitet e para dhe 4% për tre vitet pasuese, që faktori i efiçiencës do të jetë 0% për tre vitet e para dhe më së shumti 5% për vit, për tre vitet pasuese.

Siç thuhet në arsyetimin e këtij vendimi, pas konsultimit të rregullt me publikun, Bordi i ZRrE-së kishte miratuar vlerat indikative për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe vlerën indikative të mesatares së ponderuar të kostos së kapitalit.

Tutje, në arsyetim thuhet se ZRrE-ja kishte pranuar një shkresë nga këshilltarët e Qeverisë për Transaksionin e KEDS-it lidhur me vlerat indikativë të ZRrE-së, e cila shkresë ishte hartuar me kërkesën e Ministrit për Zhvillim Ekonomik, ku theksohet se vlerat indikativë të përcaktuara nga Rregullatori nuk janë të mjaftueshme për të siguruar investime në KEDS, në pajtim me Strategjinë e Energjisë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të enjten, përfaqësuesja e paditësit, Suzana Gashi, tha se mbetet pranë qëndrimeve të paraqitura në padi dhe pranë precizimit të kësaj padie.

Përmes precizimit të padisë është kërkuar kompensimi i konsumatorëve për periudhën nga 6 shkurti i vitit 2011 deri më 10 tetor 2017, me ç’rast obligohet ZRrE që të nxjerrë vendim për ta detyruar KEDS-in – ndërmarrjen distributive për të kompensuar dëmin e konsumatorëve.

Lidhur me këtë, përfaqësuesi i të paditurës, Ymridin Misini tha se deri më 8 maj 2013, për distribucion ka qenë e licencuar KEK-u, e cila pas privatizimit ka kaluar në pronësi të KEDS-it.

“Theksojmë se vendimi i bordit ka qenë i drejtë dhe çështjet e ngritura nuk korrespodojnë me kërkesën e palës paditëse, e cila ka qenë e vendosur se bartës i licencës ka qenë ndërmarrja publike KEK. Prandaj, në momentin e privatizimit, ky obligim është bartur në KEDS nga Qeveria”, deklaroi Misini.

Tutje, gjykatësi Hajriz Hoti ka aprovuar kërkesën e paditëses për nxjerrjen e provës financiare, ku pas pranimit të së njëjtës tha se do të caktohet seanca e ardhshme.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit kishte iniciuar hetime sipas detyrës zyrtare (ex officio) duke u bazuar në shkrimin e gazetës “Zëri” të datës 7 prill 2012, me titull “KEDS-i na faturon 8 milion euro në vit për rrymën e serbëve të veriut”.

Siç thuhet në padi, më 4 maj 2017, AP i ishte drejtuar me një letër Zyrës Rregullative për Energji (ZRrE), përmes së cilës kishte kërkuar informata lidhur me këtë çështje.

Më 18 maj 2017, AP kishte pranuar përgjigje nga ZRrE, ku pas shqyrtimit të rastit dhe analizës ligjore, më 13 qershor 2017 kishte nxjerrë një raport me rekomandime, ku kishte identifikuar shkelje.

Në këtë raport, AP ka rekomanduar ZRrE-në që urgjentisht të ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës, tek konsumatorët në pjesë tjetër të vendit, që Qeveria, në bashkëpunim me ZRrE-në dhe KEDS-in të gjejnë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri, duke trajtuar në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit, si dhe kishte rekomanduar ZRrE-në që në pajtim me Ligjin nr.05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë të nxjerrë një vendim me anë të të cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do të mundësonte kompensimin e konsumatorëve të cilët padrejtësisht janë faturuar dhe vazhdojnë të faturohen për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore.

Lidhur me këtë, AP i ishte drejtuar edhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Departamenti për Mbrojtje të Konsumatorëve, ku Këshilli i këtij departamenti i ishte drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin drejtuar Kryeministrit thuhet se një faturim i tillë është i padrejtë dhe i kundërligjshëm dhe se në legjislacionin e Kosovës nuk ekziston asnjë dispozitë ku KESCO apo ZRrE mund të bazojnë veprimin e bartjes së humbjeve të operatorëve tek konsumatorët të cilët nuk e kanë konsumuar ndonjë produkt apo shërbim.

Këto gjetje-rekomandime ishin kundërshtuar nga ZRrE.