Ish-këshilltarja e Pacollit i bashkohet Vjosa Osmanit

Ish-këshilltarja e Pacollit i bashkohet Vjosa Osmanit

Aktuale January 27, 2021 - 09:56

Rejhan Vuniqi, ish-këshilltarja e kreut të AKR-së Behgjet Pacollit, ka njoftuar se sot i është bashkuar nismës së presidentes në detyrë Vjosa Osmanit, raporton “Zeri.info”.

Vuniqi, në llogarinë e saj në "Facebook", theksoi se përderisa qytetari lufton për të mbijetuar në këtë vend të pashpresë, "kasta jonë politike lufton për të triumfuar në betejën e tyre të quajtur pushtet".

“Karshi një qeverie të dobët në ikje, një infrastrukture të dobët të shëndetësisë, tani edhe me rrezikun nga mutacioni i ri i virusit, si dhe karshi një fatkeqësie natyrore, çdo ditë e jona, e qytetarit të Kosovës, po del të jetë betejë e re për mbijetesë, por po harrojnë se pushtetin ia u japin mu këta qytetarë! Prandaj, edhe pse me halle dhe me vështirësitë e jetës, ata tashmë guxojnë të kërkojnë dhe e duan ndryshimin", ka shkruar ajo në "Facebook".

Postimi i saj i plotë:

Edhe pse në prag të hyrjes së vitit 2021, uruam dhe shpresuam që ky vit do të jetë vit i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë ne, por si duket po na del që e filluam prapë me këmbë të majtë.

Gërshetimi i tri fatkeqësive që po ndodhin në këtë fillim viti në Kosovë, pandemia, vërshimet e mëdha dhe kaosi politik - zgjedhjet, janë jashtëzakonisht të rënda dhe të papërballueshme për qytetarin e Kosovës.

Karshi një qeverie të dobët në ikje, karshi një infrastrukture të dobët të shëndetësisë, tani edhe me rrezikun nga mutacioni i ri i virusit, si dhe karshi një fatkeqësie natyrore, çdo ditë e jona, e qytetarit të Kosovës, po del të jetë betejë e re për mbijetesë.

Përderisa qytetari lufton për të mbijetuar në këtë vend të pashpresë, kasta jonë politike lufton për të triumfuar në betejën e tyre të quajtur pushtet.

Por po harrojnë se pushtetin ia u japin mu këta qytetarë!

Prandaj, edhe pse me halle dhe me vështirësitë e jetës, ata tashmë GUXOJNË të kërkojnë dhe e duan NDRYSHIMIN!

T’i ulim shpatat e ngritura dhe ta dëgjojmë zërin e çjerrë të këtij populli, të cilët dëshpërimisht duan të dalin nga kjo humnerë e krijuar nga vetë ata që i kanë votuar deri më tani.