Kosnett: Është për keqardhje që partitë akuzojë njëra-tjetrën e nuk merren me programe

Kosnett: Është për keqardhje që partitë akuzojë njëra-tjetrën e nuk merren me programe

Aktuale January 27, 2021 - 19:48

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett në një intervistë për “Zërin”, ka kritikuar partitë politike se po akuzojnë njëra-tjetrën dhe nuk po merren me programe.

Ndër temat për të cilat ambasadori Kosnett foli në intervistën e dhënë për “Zërin” ishte pashmangshëm edhe çështja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe për zhvillimet rreth moscertifikimit të disa prej kandidatëve për deputetë shkaku i veprave të tyre penale.

LEXO EDHE: Kosnett: Qëllimet amerikane për Kosovën mbesin të pandryshuara, kushdo qoftë në Shtëpinë e Bardhë

Kosnetti tha se çështja është ende duke u apeluar, megjithatë theksoi se është me rëndësi që të gjithë të përfshirët të respektojnë vendimin e gjykatës dhe t’i respektojnë vendimet gjyqësore.

“Mendoj se është në natyrën njerëzore, jo vetëm në Kosovë, por kjo është e vërtetë edhe në Amerikë, që njerëzit t’i duartrokasin vendimet gjyqësore që u pëlqejnë dhe të ankohen kur gjykatat vendosin për palën tjetër. Kjo është e natyrshme, por nuk funksionon nëse ne i zgjedhim dhe u bindemi vetëm vendimeve gjyqësore që na pëlqejnë. Gjithashtu mendoj se, e këtë e kam thënë edhe më herët dhe do të vazhdoj ta them deri në ditën e zgjedhjeve, por me siguri edhe gjatë gjithë kohës sa do të jem në Kosovë, populli i Kosovës e meriton mundësinë për të dëgjuar nga partitë politike se çfarë politikash do të ndjekin ato po të jenë në pushtet, se cilat janë programet e tyre dhe se çka do të bëjnë për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve të Kosovës. Cikli i akuzave, kundërakuzave dhe tërë kësaj drame ka prirje të lërë nën hije çfarëdo diskutimi për politikat dhe programet. Mendoj se kjo është për keqardhje. Politika nuk është sport vetëm për t’u shikuar”, theksoi Kosnetti.

Ai mendon se çdo qytetar luan rolin e tij/saj dhe duhet të bëjë që t’i dëgjohet zëri në mënyrë paqësore rreth asaj se çka duan që qeveria e tyre të bëjë.

“Para së gjithash, mendoj se populli i Kosovës dëshiron që qeveria të funksionojë dhe kur Kuvendi është pothuajse jofunksional, kur duhet kohë e gjatë për t’u marrë me çështjen e buxhetit, me krizën e virusit Korona, për shkak se niveli i tensionit ndërmjet partive është aq i lartë, atëherë kjo nuk nënkupton që po i shërbejnë popullit të Kosovës. Pa hyrë në atë se kush është më shumë përgjegjës për këtë ose atë problem, mendoj se mund të pajtohemi që të gjitha partitë politike, të gjithë udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësi për t’u marrë me fakte e jo vetëm me akuza”, tha kryediplomati amerikan në Kosovë./Zëri