Kosnett thotë se i kupton ankesat e njerëzve për Gjykatën Speciale

Kosnett thotë se i kupton ankesat e njerëzve për Gjykatën Speciale

Aktuale January 27, 2021 - 20:49

Kuvendi i Kosovës, më 2015-n, pranoi të ndryshonte pjesë të Kushtetutës për të themeluar Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Tashmë kjo gjykatë ka nisur punën e saj, duke akuzuar ish-krerët e UÇK-së, nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e të tjerë.

Pas ngritjes së këtyre akuzave dhe pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së opinioni në Kosovë u pezmatua, duke e cilësuar Gjykatën si raciste.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett mendon se është me rëndësi që të gjitha krimet e kryera nga vitet e ’80-ta e të ’90-ta në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor të zbardhen dhe kryesit e tyre të dalin para drejtësisë.

“E dini, nuk jam zëdhënës i Gjykatës, nuk është institucion amerikan, në fakt është institucion kosovar dhe mendoj se Gjykata duhet vetë të flasë në emër të saj për qëllimet e saj. Më përgjithësisht, mendoj se është me rëndësi që njerëzit, të cilët ndoshta kanë kryer krime në vitet 1980 e 1990, nëpër tërë rajonin, duhet të përballen me drejtësinë dhe se ky është proces që duhet të vazhdojë në kujtim të viktimave dhe për të mirën e familjes dhe të mirën e shoqërisë. Do të shpresoja që në vitet e ardhshme t’i shohim të gjitha qeveritë në rajon, si dhe partnerët ndërkombëtarë, OKB-në e të tjerët, duke shqyrtuar këtë, sepse mendoj se rajoni nuk ka nevojë për më pak drejtësi, por ka nevojë për më shumë drejtësi”, ka thënë Kosnett në një intervistë për “Zeri.info”.

Ai tha se SHBA-të ende punojnë me partnerët evropianë për t’i shqyrtuar rastet nga shek. XX, nga mesi i shek. XX, nga Lufta Botërore.

“E kuptoj kur njerëzit ankohen se kjo gjykatë specifike duket se përqendrohet ngushtë, por përgjigjja ndaj asaj ankese nuk duhet të jetë: mirë, kjo gjykatë nuk duhet të lejohet të funksionojë, ose që këto raste nuk duhet të vazhdojnë më tej. Përgjigjja duhet të jetë - të zgjerohet fushëveprimi i drejtësisë. Dua të them se Shtetet e Bashkuara ende punojnë me partnerët evropianë për t’i shqyrtuar rastet nga shek. XX, nga mesi i shek. XX, nga Lufta Botërore. Pra, mendoj se është me rëndësi që të shohim çfarë veglash i kemi në dispozicion, çfarë veglash mund t’i marrim në dispozicion në kërkim të drejtësisë për më shumë raste”, deklaroi kryediplomati amerikan në Kosovë, Philip Kosnett./Zëri