Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649
Moszgjedhja e presidentit prodhon krizën më të thellë kushtetuese

Moszgjedhja e presidentit prodhon krizën më të thellë kushtetuese

Aktuale February 23, 2021 - 18:21

Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk kanë prodhuar një situatë krejtësisht të qartë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Njohësit e Kushtetutës dhe analistët politikë, Visar Morina dhe Albert Krasniqi, thonë se vendi mund të rrëshqasë në një krizë të thellë kushtetuese, në rast se skadon mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit dhe Kuvendi nuk arrin të votojë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Zgjedhja e presidentit sipas Kushtetutës

Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës parasheh që zgjedhja e presidentit të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Vjosa Osmani, që aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit, mund ta mbajë këtë pozitë më së largu deri më 5 maj të këtij viti.

Pika katër e nenit 86 thotë se zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk merr shumicën e votave (61), Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Osmani ka ardhur në këtë pozitë pas dorëheqjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 5 nëntor, 2020, kur i është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Skenari që dërgon te kriza

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Visar Morina, thotë se dështimi për të zgjedhur presidentin shkakton krizë të thellë kushtetuese.

Sipas tij, pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të mbahet më tepër se gjashtë muaj nga marrja e detyrës.

“Nëse eventualisht, brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të sërishme parlamentare”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ky do të ishte një skenar jo i duhur, pasi përbën "manifestim të pastër të mungesës së stabilitetit politik, respektimit të vullnetit politik të qytetarëve dhe demokracisë në përgjithësi".

Kriza më e thellë kushtetuese, sipas profesorit Morina, mund të shkaktohet nëse skadon mandati i u.d. së presidentit, Vjosa Osmani, dhe nuk zgjidhet presidenti i ri.

“Kushtetuta e Kosovës nuk ofron asnjë referencë normative se cili organ gëzon të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve në mungesë të një presidenti legjitim, në pikëpamje kushtetuese dhe demokratike. Në një situatë të tillë, zgjedhjen sigurisht se do të duhej kërkuar vetëm te një vendim interpretues i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thotë Morina.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KËTU