Gjykata sot vendos për Kishën Ortodokse në Universitetin e Prishtinës

Gjykata sot vendos për Kishën Ortodokse në Universitetin e Prishtinës

Aktuale March 01, 2021 - 08:31

Seanca për padinë e Universitetit të Prishtinës ndaj kishës ortodokse “Sveti Nikolla” do të mbahet sot.

Para më shumë se tre vjetësh Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të universitetit “Hasan Prishtina”, ku gjendet edhe Kisha Ortodokse, shkruan “Zeri.info”.

Përmes një reagimi, organizata studentore “Demokracia Studentore” ka thënë se presin që sot gjykata të vendosë t’ia rikthejë tokën Universitetit të Prishtinës dhe objekti i vendosur me dhunë në kampusin universitar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit të shërbejë si muze e krimeve të luftës.

“Organizata ‘Demokracia Studentore’ kërkon nga gjykata që toka e uzurpuar nga ish-regjimi serb t’i rikthehet universitetit të Prishtinës dhe objekti në formë të kishës i vendosur me dhunë nga kasapi i Ballkanit, Slobodon Milosheviq, të shërbejë si muze i gjenocidit dhe i krimeve të luftës, që i ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë.

Mexhid Ramusa, nga “Demokracia Studentore”, tha: “Kisha e vendosur me masa të dhunshme në kampusin e Universitetit të Prishtinës simbolizon planin e Serbisë për spastrimin etnik të shqiptareve dhe ky objekt duhet të funksionojë si muze i krimeve të luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në reagimin e studentëve.

Sipas tyre, gjykata duhet t’i analizojë të gjitha dëshmitë që i kanë adresuar dhe t’i shikojë videot ku shihet qartë rrethimi i kampusit të Universitetit të Prishtinës nga ish-regjimi jugosllav me masa të rrepta të ushtrisë dhe policisë serbe me tanke dhe mjete të rënda luftarake kur vendoset gur themeli i këtij objekti, ku kanë marrë pjesë edhe shumë kriminel të luftës, si Radovan Karagjiq dhe Zeljko Raznjatoviq – Arkan.

Seanca për padinë e Universitetit të Prishtinës për uzurpimin e tokës nga kisha ortodokse “Sveti Nikolla” është caktuar për sot, më datën 1 mars 2021.

Kujtojmë se në mars të vitit 2017 Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës, si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq. /Zëri