Kurti: Kushtetuta s’na lejon bashkimin me Shqipërinë, për të duhet të kalojë kohë

Kurti: Kushtetuta s’na lejon bashkimin me Shqipërinë, për të duhet të kalojë kohë

Aktuale March 02, 2021 - 14:15

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në shënimin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, nga ky qytet, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon bashkimin me Shqipërinë. Sipas tij, megjithatë një ide e tillë është dëshirë e të gjithë shqiptarëve dhe për ta arritur duhet të kalojë ende kohë.

“Politikëbërja te shqiptarët duhet t’i rikthehet Lezhës, ‘Besëlidhjes’ në mënyrë që edhe të dalim nga vështirësitë që kanë shqiptarët kudo dhe nga gjendja e rëndë e përgjithshme, por edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë, zhvillimit e progresit, të cilat nuk e lënë asnjëri mbrapa”, ka thënë Kurti para gazetarëve në Lezhë. Ai ka porositur që Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen drejt integrimit e bashkimit në tri fusha kryesore: Të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe atë të politikës së jashtme.

Për bashkimin kombëtar ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës paraqet pengesë, por ka shtuar se për të bërë ndryshime të tilla duhet të kalojë kohë.

“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie në nenin 1.1 me nenin 1.3. neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik e neni 1.3 na ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, siç është Shqipëria. Por njëkohësisht paraqet pengesë për integrim të llojit tjetër siç është ai evropian. Në Kosovë, kur s’kemi ligj për referendum dhe s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë e do të kalojë ca kohë deri të arrijmë në atë pikë, por ajo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë Kurti.