Haziri: Do të isha shumë i lumtur nëse Kujtim Shala kandidon për kryetar të LDK-së

Haziri: Do të isha shumë i lumtur nëse Kujtim Shala kandidon për kryetar të LDK-së

Aktuale March 02, 2021 - 22:36

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë që do të ishte shumë i lumtur nëse do të kandidonte për kryetar të ri të LDK-së, bashkëpartiaku i tij Kujtim Shala.

Haziri tha se Shala do të plotësonte shumë kërkesa dhe pritje.

“Do të doja dhe do të isha shumë i lumtur që zotëri Shala të jetë kandidat për kryetar të ri të LDK-së pasi plotëson shumë kërkesa dhe pritje. Po presim nga ai që të na thotë fjalën dhe të deklarohet. LDK ka shumë emra, por ka shumë pak kandidatura, por ka shumë emra që mund të jenë kandidatë dhe të zgjedhur, por deri sot ka shumë pak konfirmime”, tha ai në Syri TV.

Haziri edhe njëherë e ceku se mendon që ka vepruar gabimisht kryesia e LDK-së duke e përjashtuar Vjosa Osmanin nga partia.

“Po, e kam thënë me kohë (se e vlerësoj gabim sjellën e Kryesisë në raport me Vjosa Osmanin). Jo nuk kemi filluar ende ndonjë komunikim për rikthimin e Vjosa Osmanit, pasi po presim përzgjedhjen e kryetarit të ri”, tha ai.

Ndryshe më 14 mars pritet të mbahet Kuvendi zgjedhor i LDK-së për zgjedhjet e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Mustafës.