Haziri thotë se në Gjilan ka rritje drastike të infeksionit me koronavirus

Haziri thotë se në Gjilan ka rritje drastike të infeksionit me koronavirus

Aktuale March 03, 2021 - 11:27

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot, në një konferencë për media, ka thënë se ka rritje drastike të infeksionit me COVID-19 në komunën që ai drejton.

Haziri ka theksuar se 247 raste janë aktive me këtë virus, teksa thotë se 47 pacientë janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm, ku 6 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

“Sot i kemi 247 raste aktive dhe është rritje drastike e infeksionit me COVID-19 në javën e fundit. Kemi trefishim të rasteve të vizitave në shtëpi te pacientët e prekur nga virusi. Pra, janë deri në 50 vizita shtëpiake që ekipet e Qendrës së Mjekësisë Familjare i realizojnë. Ndërkohë, të hospitalizuar të konfirmuar me COVID-19 janë 47 pacientë, të cilët po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm, 6 prej të cilëve në gjendje më të rëndë”, tha Haziri pas takimit të Komitetit për Menaxhimin dhe Parandalimin e Përhapjes së COVID-19.

Ai po ashtu tha se burimi i infeksionit në Gjilan janë vizitat për ngushëllime dhe ahengjet e vogla familjare, por jo edhe institucionet shkollore e ato publike.

“Po punojmë për një Gjilan pa virus, por deri në ardhjen e vaksinave duhet të kemi kujdes sipas rekomandimeve të IKSHPK-së. Rritja e infeksionit është tregues i qartë që duhet t’u kushtojmë rëndësi masave mbrojtëse, përdorimit të maskës dhe distancës, në mënyrë që ta parandalojmë përhapjen”, ka përfunduar Haziri. /Zëri