Lajçak: Jam i kënaqur kur dëgjoj që Kurti kupton rëndësinë e dialogut

Lajçak: Jam i kënaqur kur dëgjoj që Kurti kupton rëndësinë e dialogut

Aktuale March 03, 2021 - 12:37

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë - Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka përfunduar sot vizitën e tij treditore në Kosovë.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë menjëherë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare informoi fituesin e zgjedhjeve, kreun e LVV-së Albin Kurti, në detaje mbi progresin e bërë në dialogun Prishtinë - Beograd që nga rifillimi i tij në korrik 2020. Ata diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm përpara.

“Z. Kurti dhe unë kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive. Derisa unë e kuptoj që Kurtit do t’i duhet pak kohë për t’u njohur me dialogun dhe marrëveshjet e tij, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja presin që procesi i normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë së shpejti. Jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që Kurti e kupton rëndësinë e dialogut”, citohet të ketë thënë Lajçaku.

Në Prishtinë Lajçaku zhvilloi takime me presidenten në detyrë Vjosa Osmanin, kryeministrin në detyrë Avdullah Hotin dhe liderët e partive politike, duke përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe, për të theksuar rëndësinë e unitetit në dialog përtej linjave partiake.

Ai gjithashtu u takua me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, foli me ambasadorin e SHBA-së dhe informoi shtetet anëtare të BE-së mbi bisedat e tij.

“Duke përfituar nga mundësia për t’u takuar me gratë udhëheqëse politike, përfaqësuesi i posaçëm nënvizoi angazhimin e BE-së në promovimin e pjesëmarrjes së grave në të gjitha sferat e shoqërisë, duke përfshirë politikën. Lajçaku mirëpriti interesimin e tyre të madh dhe rolin e tyre aktiv që nga fillimi i dialogut”, thuhet në njoftim.

Nga Prishtina Lajçaku do ta vazhdojë vizitën e tij edhe në Beograd dhe në Podgoricë. /Zëri