Drejtori i përgjithshëm dhe zyrtarja e Sekretariatit të KPK-së, sot para Gjykatës

Drejtori i përgjithshëm dhe zyrtarja e Sekretariatit të KPK-së, sot para Gjykatës

Aktuale March 03, 2021 - 12:54

Drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit në Këshillin Prokrurorial të Kosovës Lavdim Krasniqi dhe zyrtarja tjetër e këtij Sekretariati, M.B., do të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

Lavdim Krasniqi po dyshohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, kurse zyrtarja tjetër, M.B., për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këto vepra për të cilat dyshohen Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur dje kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dy të dyshuarve, kurse lidhur me këtë kërkesë do të vendosë gjyqtari Kushtrim Shyti.

Seanca për këtë rast do të mbahet të mërkurën, prej orës 12:00, ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” prokurori Zejnullah Gashi.

Drejtori i Sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) Lavdim Krasniqi dhe zyrtarja tjetër ishin shoqëruar të hënën për intervistim në polici, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion. Pas intervistimit, të dy të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ishin ndaluar për 48 orë.

Ndërsa të martën KPK-ja kishte njoftuar se ka suspenduar nga pozitat e tyre në Këshill të dy të dyshuarit.

“Pas fillimit të procedurës penale ndaj drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit (SKPK), Lavdim Krasniqi, me dyshimin për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar’, ‘Ushtrimi i ndikimit’ dhe ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhej në njoftimin e KPK-së.

KPK-ja kishte bërë të ditur se është marrë vendim edhe për suspendimin e një zyrtareje të Sekretariatit, si e dyshuar për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.