Drejtësia e munguar për Jasharajt, përgjegjëse mbahet politika

Drejtësia e munguar për Jasharajt, përgjegjëse mbahet politika

Aktuale March 07, 2021 - 21:17

Në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së, edhe këtë vit në 23 vjetorin e rënies historike të familjes Jashari, politikanë përfaqësues të partive politike bënë homazhe pranë varreve të tyre në Prekaz.

Por veç lavdit, asnjë nga ta që e shijuan kush më pak e kush më shumë pushtetin gjatë këtyre dy dekadave, nuk bënë asnjë hap për drejtësinë karshi familjes që u shua këtyre datave gjatë luftimeve nga 5 deri më 7 mars të ’98-ës, njofton Klan Kosova.

Ish drejtuesi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës e ka vlerësuar krejt këtë situatë si të mjerë.

Ismet Salihu i cili e drejtoi këtë institucion publik për më shumë se 6 vjet ka treguar se as Instituti nuk është lejuar të bëjë hulumtime në teren, e as stafi prej 6 vetash nuk u mjaftoi për të mbledhur të gjitha provat.

Me ekzekutuesit e Jasharajve nuk u morrën asnjëherë as UNMIK-u e as EULEX-i që shërbyen në Kosovë.

Derisa Prokuroria Speciale e Kosovës që tashti merret me krimet e luftës tek një vit më parë ka nisur një hetim paraprak për sulmin e forcave speciale të policisë serbe.

Duke qenë kështu, profesori i të drejtës penale, vlerëson se nëse do të ekzistojë një gjykim për masakrën në Prekaz, do të duhet të bëhet jashtë kufijve e larg gjykatave vendore.

”Për shkak të jehonës dhe krimit makabër që rrallë ndodhë në histori të njerëzimit më mirë do të ishte të gjykohej nga një gjykatë ndërkombëtare dhe tani po funksionon një gjykatë ndërkombëtare penale permanente që nuk merret se a është një shtet pjesë e BE-së a OKB-së dhe procedon”, ka thënë Salihu ndër të tjera.