S’ka kuorum, dështon konstituimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së

S’ka kuorum, dështon konstituimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së

Aktuale April 14, 2021 - 10:55

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e parë konstitutive e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka konstatuar se punimet e Komisionit nuk mund të vazhdojnë, duke kërkuar që mbledhja të shtyhet për një orë.

“Meqenëse mungojnë disa deputetë, nuk do të kemi kuorum t’i vazhdojmë punimet. Të caktojmë një ditë tjetër të takimit. Ftoj të mbahet një mbledhje nesër në orën 11:00”, ka thënë ajo.

Deputeti i LVV-së, Zalih Zyba, ka kërkuar që takimi të mbahet brenda dy orësh dhe jo të shtyhet për një ditë tjetër.

Përderisa Dimal Basha, nga LVV-ja, tha se në orën 13:00 do të ishte e përshtatshme të konstituohet Komisioni, raporton EO-ja.

“Na presin punë me rëndësi”, ka thënë Musliu.

Me propozimin e Bashës u pajtuan të gjithë deputetët e pranishëm në sallë.