KPA takon zyrtarë të DASH-it, u kërkon ndihmë për sigurimin e vaksinave për Kosovën

KPA takon zyrtarë të DASH-it, u kërkon ndihmë për sigurimin e vaksinave për Kosovën

Aktuale April 14, 2021 - 11:00

Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA) njofton se është takuar me pesë zyrtarë nga Departamenti i Shtetit, pas një kërkese që organizata ia bëri sekretarit Antony Blinken për ndihmë për t’i siguruar vaksinat COVID-19 për Kosovën.

KPA-ja njofton se të pranishëm në takim nga DASH-i ishin: David Kostelancik, drejtor për Zyrën e Evropës Juglindore, Zyra e Çështjeve Evropiane, Michael Konstantino, zëvendësdrejtor, Ilan A. Goodman, zyrtar i lartë për Zyrën e Kosovës, Wendy Rejan, zyrtar për Zyrën e Kosovës dhe Malikat Rufai, zyrtar për Zyrën e Maqedonisë Veriore dhe zyrtar mbështetës për Zyrën e Shqipërisë, raporton Zeri.info.

“Përveç diskutimit mbi bashkëpunimin e mundshëm për të ndihmuar Kosovën në prokurimin e vaksinave, pjesëmarrësit diskutuan edhe çështje të ndryshme me të cilat po përballet Kosova dhe rajoni, duke përfshirë dialogun, Gjykatën Speciale, vëllezërit Bytyçi, zgjedhjet e ardhshme dhe reformën në drejtësi në Shqipëri, regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë Veriore, pasivizimin [e adresave të shqiptarëve] në Preshevë dhe rritjen e paqëndrueshmërisë në Malin e Zi”, thuhet në komunikatën për media të KPA-së.

Sipas njoftimit, Kostelanciku falënderoi KPA-në për angazhimin dhe ka ofruar bashkëpunim në çështje të ndryshme, me të cilat po përballet Ballkani.

KPA-ja është një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar në promovimin e idealeve të përbashkëta të popullit shqiptar dhe amerikan. /Zëri